Veliaj nis ofensivën, çon në gjykatë Presidentin dhe prokurorin e SPAK
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë me një padi, përmes së cilës kërkon që të shpallet absolutisht i pavlefshëm dekreti i emërimit të një noteri në detyrën e prokurorit, një akt që sipas tij është miratuar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi në atë periudhë.
Padia është depozituar kundër institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë për periudhën 2007–2012, si edhe ndaj prokurorit të posaçëm Ols Dado. Sipas kërkesës-padi, emërimi i këtij të fundit në vitin 2008 është bërë në një kohë kur ligji nuk lejonte kalimin nga profesioni i noterit në atë të prokurorit pa përfunduar më parë Shkollën e Magjistraturës.
Në dokumentin e paraqitur në gjykatë thuhet se dekreti i emërimit është nxjerrë në kundërshtim të hapur me kriteret ligjore, pasi në momentin e dekretimit subjekti nuk plotësonte kushtet e domosdoshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit. Në këtë kuadër, Veliaj kërkon që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të detyrohet të marrë një vendim për ndërprerjen e menjëhershme të statusit të magjistratit dhe për ndalimin e ushtrimit të mëtejshëm të detyrës në mënyrë të paligjshme.
Po ashtu, në padi argumentohet se të gjitha procedurat penale të ndërmarra ndaj kryebashkiakut të Tiranës, përfshirë masat e sigurisë dhe kufizimet në ushtrimin e mandatit të tij, bazohen mbi një akt emërimi që konsiderohet i pavlefshëm që në momentin e nxjerrjes. Sipas Veliajt, kjo situatë ka prodhuar pasoja serioze jo vetëm për Bashkinë e Tiranës, por edhe për rendin kushtetues, funksionimin e institucioneve, si dhe për jetën familjare e personale të tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



