Europa kundër Trump, Mitsotakis shpërthen ndaj “Bordit të Paqes”
“SHBA merr në dorë kompetenca të rrezikshme”
Ndërsa Shqipëria po tregohet e gatshme t’i bashkohet Bordit të Paqes të krijuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vendet më të fuqishme të Evropës kanë zgjedhur një qasje krejtësisht të kundërt, duke refuzuar pjesëmarrjen në këtë iniciativë. Franca, Gjermania, Italia dhe Greqia janë mes shteteve që kanë shprehur hapur rezervat e tyre.
Në një intervistë për emisionin e mëngjesit “Europe Today” në Euronews, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis kritikoi hapur nismën “Bordi i Paqes” të presidentit amerikan, duke theksuar se ajo tejkalon kompetencat e parashikuara nga sistemi ndërkombëtar aktual.
Mitsotakis shprehu gjithashtu lehtësim për uljen e tensioneve me Shtetet e Bashkuara lidhur me Groenlandën, por u tregua i qartë se shumica e vendeve evropiane nuk mund të përfshihen në këtë mekanizëm të ri.
Sipas tij, iniciativa e Trump “shkon shumë përtej mandatit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, duke e bërë të pamundur anëtarësimin e shumicës së shteteve të Bashkimit Evropian. Ai i bëri këto komente një ditë pasi mori pjesë në një takim urgjent të Këshillit Evropian, të përqendruar në marrëdhëniet transatlantike.
“Konsensusi është se ajo që është shpallur nga Donald Trump shkon shumë përtej mandatit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Duhet të pranojmë se ecja përpara mbi këtë bazë është diçka në të cilën shumica e vendeve evropiane nuk mund të bashkohen,” u shpreh kryeministri grek.
Deklaratat e tij vijnë pas lançimit zyrtar të iniciativës “Bordi i Paqes” në Davos, një projekt që synon ndërhyrjen në zgjidhjen e konflikteve globale. Nisma buron nga plani prej 20 pikash i Trump për armëpushimin në Gaza, i cili ishte miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, por më pas është zgjeruar ndjeshëm përtej kornizës fillestare.
Ky zgjerim ka sjellë kritika të shumta, me vërejtje se po krijohet një strukturë paralele me OKB-në, duke i dhënë presidentit amerikan kompetenca joproporcionale dhe duke përfshirë gjithashtu ftesën për Rusinë, çka ka shtuar edhe më shumë polemikat.
Shumë aleatë evropianë, përfshirë Norvegjinë, Suedinë dhe Francën, kanë refuzuar pjesëmarrjen në këtë mekanizëm, ndërsa vende të tjera si Italia kanë bërë të ditur se nuk do të bashkohen për momentin.
Mitsotakis theksoi se Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë një rol në rindërtimin e Gazës, por nënvizoi se një plan i tillë duhet të kufizohet vetëm në territorin e Gazës dhe vetëm për një periudhë të përcaktuar kohore.
Në ceremoninë e nënshkrimit të zhvilluar në Davos, më pak se 20 vende iu bashkuan iniciativës, shumë më pak se rreth 35 shtete që pritej fillimisht nga administrata Trump. Hungaria dhe Bullgaria ishin të vetmet vende evropiane që morën pjesë.
Duke iu referuar tensioneve të fundit me SHBA-në për Groenlandën, kryeministri grek shprehu lehtësim pas tërheqjes së papritur të Trump nga kërcënimi për pushtimin e territorit arktik. Në vend të kësaj, u arrit një marrëveshje afatgjatë për sigurinë e Arktikut, e ndërmjetësuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
“Marrëdhëniet transatlantike po bëhen gjithnjë e më të ndërlikuara dhe duhet të menaxhohen ndryshe. Bashkimi Evropian duhet të mbrojë interesat e veta,” përfundoi Mitsotakis.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



