Nesër protesta e PD, policia del me njoftimin e rëndësishëm
Çfarë duhet të dini?
Partia Demokratike ka paralajmëruar zhvillimin e një proteste kombëtare ditën e nesërme, e cila do të mbahet përpara Kryeministrisë, me nisje në orën 17:00.
Në prag të tubimit, Policia e Shtetit ka publikuar një njoftim zyrtar ku sqaron masat e marra dhe akset rrugore ku do të ketë kufizime të qarkullimit.
Sipas policisë, duke nisur nga ora 23:45 e mbrëmjes së sotme, do të ndalohet qarkullimi dhe parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, konkretisht nga zona e njohur si “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”. Ky kufizim do të mbetet në fuqi deri në përfundim të protestës.
Po ashtu, nga ora 15:00 e ditës së nesërme dhe deri në mbylljen e tubimit, do të bllokohet lëvizja e mjeteve në segmentin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”, si edhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Autoritetet sqarojnë se masat janë marrë në zbatim të ligjit “Për tubimet” dhe synojnë garantimin e rendit publik, sigurinë e qytetarëve, si dhe mbrojtjen e pronës publike dhe private.
Policia e Tiranës bën me dije se, në varësi të situatës dhe ecurisë së protestës, nuk përjashtohet mundësia e kufizimeve të tjera të qarkullimit edhe në akse të ndryshme rrugore. Në këto raste, janë parashikuar devijime të trafikut në rrugë alternative për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve.
Njëkohësisht, policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në zonat e bllokuara dhe të tregojnë bashkëpunim, ndërsa apelon që të distancohen nga çdo veprim i kundërligjshëm që mund të cenojë rendin dhe sigurinë publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



