EMRAT/ AMP me ‘dorë të hekurt’, 3 policë përfundojnë në pranga
Mes tyre shefi i stacionit të Orikumit
Tre punonjës të Stacionit të Policisë Orikum, mes tyre edhe drejtuesi i këtij institucioni, janë vënë nën masë sigurie pas akuzave për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Burime zyrtare bëjnë me dije se bëhet fjalë për shtetasit Daniel Liskendaj, me detyrë inspektor i krimeve, Artur Jancaj, shef i Stacionit të Policisë Orikum, si dhe Afrim Ferra, specialist i policimit në zonë. Të tre akuzohen se kanë kërkuar dhe përfituar para në kundërshtim me ligjin, duke shfrytëzuar funksionin e tyre.
Sipas hetimeve, në shtator të vitit të kaluar, punonjësit e policisë, duke keqpërdorur atributet zyrtare, kanë kërkuar dhe marrë nga një shtetas shumën prej 270 mijë lekësh, në këmbim të shmangies nga përgjegjësia penale.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njoftoi se ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila ka caktuar ndaj tre punonjësve të policisë masën e sigurimit personal “arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale.
Të tre dyshohen për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, si dhe “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga nenet 259, 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Hetimet janë zhvilluar për disa muaj me metoda speciale, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), çka ka mundësuar dokumentimin me prova ligjore të përfshirjes së punonjësve të policisë në veprime korruptive.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe për të verifikuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



