E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Aksioni ndaj emigrantëve ilegal, SPAK ekzekuton 7 masa sigurie
Lajme

Aksioni ndaj emigrantëve ilegal, SPAK ekzekuton 7 masa sigurie

Një rrjet i dyshuar për organizimin e kalimit të paligjshëm të emigrantëve drejt vendeve të tjera është goditur pas një hetimi të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.

Në kuadër të operacionit, në bazë të vendimit të Gjykatës së Posaçme, janë ekzekutuar masa sigurie për shtatë persona dhe janë kryer 11 kontrolle në banesa e kontrolle personale. Mes të dyshuarve janë edhe dy punonjës të Policisë Kufitare, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar në kalimin e emigrantëve duke shfrytëzuar funksionin e tyre.

Sipas hetimeve, grupi dyshohet se organizonte hyrjen e shtetasve të huaj nga Greqia nëpërmjet kufirit të gjelbër, kryesisht në zonat e Korçës dhe Gjirokastrës. Më pas, emigrantët transportoheshin drejt veriut të Shqipërisë, me destinacion zonat e Hanit të Hotit dhe Vukpalajt, për të kaluar në Malin e Zi.

Lëvizja kryhej kundrejt pagesave monetare. Grupet e emigrantëve përbëheshin nga tre deri në 50 persona dhe shoqëroheshin nga persona që orientonin udhëtimin e tyre nëpër territorin shqiptar.

Gjashtë të dyshuar në “arrest me burg”, një në arrest shtëpie

Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për gjashtë persona, identitetet e të cilëve janë bërë të ditura vetëm me iniciale.

J. K., E. H., A. B. dhe M. Gj. dyshohen për ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufijve, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale.

Për dy punonjësit e policisë, V. N. dhe K. T., masa e sigurisë është caktuar për dyshimet se kanë ndihmuar në kalimin e paligjshëm të kufijve, në bashkëpunim dhe duke shfrytëzuar funksionin shtetëror.

Ndërkohë, për K. B. është caktuar masa “Arrest në shtëpi”. Ajo dyshohet për përfshirje në grupin e strukturuar kriminal dhe për ndihmë në kalimin e paligjshëm të kufijve.

Nga Korça dhe Gjirokastra drejt Malit të Zi: episodet e hetuara

Hetimi, i nisur pas një referimi nga Departamenti i Policisë Kriminale, ka dokumentuar disa raste të dyshuara të transportimit të emigrantëve gjatë vitit 2024.

  • 1 maj 2024: Tre shtetas të huaj u transportuan nga zona e Mëzezit, në Tiranë, drejt Hanit të Hotit.
  • 13–14 maj 2024: 21 emigrantë u lëvizën nga fshati Mashkullorë, në Gjirokastër, drejt Vukpalajt, në Malësinë e Madhe.
  • 19–21 qershor 2024: 11 emigrantë u transportuan nga fshati Dardhë, në Korçë, drejt Hanit të Hotit.
  • 28 qershor 2024: 17 shtetas të huaj u dërguan nga Dardha drejt Vukpalajt.
  • 7 korrik 2024: U tentua transportimi i katër emigrantëve nga Korça, por drejtuesi i automjetit u arrestua në flagrancë nga policia e Korçës dhe Maliqit.
  • 8–9 korrik 2024: 12 emigrantë u transportuan nga Jorgucati, në Gjirokastër, drejt Malësisë së Madhe. Sipas hetimit, në këtë rast dy punonjës të Policisë Kufitare në Shkodër dyshohet se lehtësuan kalimin e tyre drejt Malit të Zi.
  • 23–24 korrik 2024: 11 emigrantë u transportuan nga Bilishti drejt Tiranës dhe më pas në Shkodër. Pasi kaluan në Malin e Zi, ata u morën peng nga pesë persona me origjinë nga Lindja e Mesme.

Për rastin e fundit, ndërhyrja në bashkëpunim me autoritetet malazeze bëri të mundur lirimin e emigrantëve dhe arrestimin e tre personave të dyshuar për pengmarrjen.

SPAK bën me dije se hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë qenë pjesë e rrjetit, si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë saj. Për personat e përfshirë në procedim, dyshimet e ngritura nga hetimi nuk përbëjnë fajësi të provuar deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.