Organizatat e medias kundër draftit për shpifjen: “Nuk përmbush standardet e BE-së, rrezikon lirinë e shprehjes”
Organizatat e medias në vend kanë reaguar sot përmes një deklarate publike lidhur me ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, që lidhen me dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët. Sipas tyre, megjithëse disa nga ndryshimet e parashikuara në draft konsiderohen pozitive, versioni që pritet të miratohet nuk garanton mbrojtje të plotë për lirinë e shprehjes dhe nuk është në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Në deklaratë theksohet se një nga problemet kryesore të draftit është fakti që dekriminalizimi i shpifjes parashikohet vetëm për gazetarët “e regjistruar dhe të njohur”. Organizatat e medias e kundërshtojnë këtë qasje, duke theksuar se Shqipëria nuk ka dhe nuk duhet të ketë një regjistër zyrtar për gazetarët.
“Së pari, teksti parashikon mbrojtje dhe dekriminalizim të shpifjes vetëm për gazetarët që janë të regjistruar dhe të njohur. Kjo nuk është një zgjidhje e plotë. Shqipëria nuk ka dhe nuk duhet të ketë një regjistër për gazetarët,” thuhet në deklaratë.
Sipas organizatave, çdo përpjekje për të rregulluar profesionin e gazetarit përmes regjistrimit formal krijon pasiguri juridike dhe cenon drejtpërdrejt lirinë e shprehjes. Një qasje e tillë, sipas tyre, nuk prek vetëm gazetarët profesionistë, por edhe aktivistët e shoqërisë civile, blogerët dhe qytetarët që shprehin mendime kritike në interes publik.
Organizatat theksojnë se këto shqetësime ndahen edhe nga struktura të tjera vendase dhe ndërkombëtare që monitorojnë lirinë e medias dhe të drejtat e njeriut. Ato nënvizojnë se dekriminalizimi i shpifjes, edhe nëse miratohet pjesërisht, nuk mjafton për të zgjidhur problemet strukturore me të cilat përballet media në Shqipëri.
Sipas deklaratës, nevojitet një reformë më e thellë dhe gjithëpërfshirëse, e cila të adresojë jo vetëm aspektet penale, por edhe kushtet e punës së gazetarëve, presionet politike, paditë strategjike për të frikësuar median (SLAPP) dhe garanci të tjera për pavarësinë editoriale.
Në përfundim, organizatat e medias i bëjnë thirrje mazhorancës dhe deputetëve të Kuvendit që ta rishikojnë draftin dhe ta përmbyllin reformën në mënyrë të plotë, duke shmangur ndryshime sipërfaqësore që, sipas tyre, nuk ofrojnë mbrojtje reale për lirinë e shprehjes në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



