Rreth 20 vite negociata, çfarë sjell marrëveshja historike Indi-BE
Bashkimi Evropian dhe India kanë arritur sot një marrëveshje historike për tregtinë e lirë, duke mbyllur një kapitull negociatash që kishte mbetur i ngrirë për gati dy dekada. Marrëveshja krijon një nga hapësirat më të mëdha tregtare në botë, me rreth 2 miliardë konsumatorë dhe një peshë që përfaqëson afro 25% të Prodhimit të Brendshëm Bruto global.
E cilësuar nga zyrtarët evropianë si “nëna e të gjitha marrëveshjeve”, kjo marrëveshje shënon një kthesë strategjike për Brukselin dhe Nju Delhin, në një kohë tensionesh globale tregtare, të nxitura nga politikat tarifore të SHBA-së dhe presioni i eksporteve masive kineze.
Sipas Komisionit Evropian, i cili ka kompetencë ekskluzive për negociatat tregtare, shkëmbimet aktuale tregtare mes BE-së dhe Indisë arrijnë mbi 180 miliardë euro në vit, duke mbështetur rreth 800 mijë vende pune në vendet anëtare të Unionit. Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, pritet që eksportet e mallrave të BE-së drejt Indisë të dyfishohen deri në vitin 2032.
Një nga elementët kyç të marrëveshjes është ulja drastike e tarifave doganore. Në total, kompanitë evropiane parashikohet të kursejnë rreth 4 miliardë euro në vit nga heqja ose reduktimi i detyrimeve doganore. Komisioni Evropian thekson se kjo është hapja më ambicioze tregtare që India i ka ofruar ndonjëherë një partneri të vetëm.
Fokus i veçantë te bujqësia dhe agro-ushqimi
Marrëveshja prek ndjeshëm sektorin agro-ushqimor, duke reduktuar tarifa që deri më tani kanë qenë mesatarisht mbi 36%. Për shembull, tarifat për verën e prodhuar në BE do të ulen nga 150% në 75% në fazën fillestare dhe më pas në vetëm 20%. Për vajin e ullirit, tarifat do të bien nga 45% në zero brenda pesë viteve, ndërsa produktet e përpunuara si buka, ëmbëlsirat dhe biskotat do të përfitojnë ulje tarifash deri në 50%.
Në të njëjtën kohë, sektorët bujqësorë të ndjeshëm të BE-së do të mbrohen plotësisht, pasi produkte si mishi i viçit, pula, orizi dhe sheqeri janë përjashtuar nga liberalizimi. Gjithashtu, të gjitha importet nga India do të vazhdojnë t’i nënshtrohen standardeve strikte evropiane të shëndetit dhe sigurisë ushqimore.
Industri, shërbime dhe pronë intelektuale
Marrëveshja parashikon ulje të paprecedenta tarifash edhe për sektorë industrialë kyç. Tarifat për makineritë dhe pajisjet elektrike, që aktualisht shkojnë deri në 44%, do të eliminohen brenda 5–7 viteve. Për avionët, pajisjet mjekësore, produktet plastike dhe kimike, tarifat do të ulen gradualisht deri në zero gjatë dekadës së ardhshme.
Përtej mallrave, marrëveshja hap tregun indian edhe për shërbimet evropiane, përfshirë sektorin financiar dhe transportin detar. Një kapitull i veçantë i kushtohet mbrojtjes së pronësisë intelektuale, duke garantuar standarde të larta për të drejtat e autorit, markat tregtare, dizenjot dhe sekretet tregtare.
Paralelisht, BE dhe India po negociojnë një marrëveshje të veçantë për Treguesit Gjeografikë, e cila synon të mbrojë produktet tradicionale evropiane nga imitimet dhe konkurrenca e padrejtë në tregun indian.
Komisioni Evropian pritet të publikojë së shpejti draft-tekstet e marrëveshjes, të cilat do t’i nënshtrohen shqyrtimit ligjor dhe përkthimit në të gjitha gjuhët zyrtare të BE-së. Pas miratimit nga Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian, marrëveshja do të hyjë zyrtarisht në fuqi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



