Kushtetuesja merr sot vendim për Belinda Ballukun
Gjykata Kushtetuese do të mblidhet këtë të martë për të marrë një vendim mbi ankimin e paraqitur nga kryeministri Edi Rama, lidhur me pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Seanca pritet të jetë e gjatë dhe intensive, pasi secili prej gjyqtarëve do të paraqesë qëndrimin dhe argumentet e tij përpara se të kalohet në procesin e votimit. Vendimi pritet të bëhet publik brenda ditës së sotme.
Tetë anëtarët e trupës gjyqësore do të duhet të sqarojnë disa çështje thelbësore kushtetuese, përfshirë nëse ka pasur ndërhyrje të pushtetit gjyqësor në atë ekzekutiv dhe nëse një ministër gëzon apo jo imunitetin ligjor të barasvlershëm me atë të një deputeti.
Ky rast konsiderohet precedent, pasi për herë të parë një ministër është pezulluar nga detyra pas një kërkese të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke e kthyer çështjen në një pikë të nxehtë të debatit publik, politik dhe juridik.
Më 22 janar, Gjykata Kushtetuese zhvilloi seancën dëgjimore për ankimin e kryeministrit Rama, ku qeveria kërkoi interpretimin e nenit 103 të Kushtetutës. Sipas këtij neni, anëtarët të qeverisë gëzojnë imunitetin e deputetit, ndaj kërkohet të përcaktohet nëse Gjykata e Posaçme kishte të drejtë të pezullojë një ministër pa miratimin e Kryeministrit.
Nga ana tjetër, dy prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, kundërshtuan pretendimet e qeverisë, duke theksuar se nuk ekziston konflikt kompetencash mes pushteteve dhe se vendimi për pezullimin e një ministri nuk është në tagrin e Kryeministrit.
Vendimmarrja e sotme e Gjykatës Kushtetuese vjen në një moment delikat, pasi SPAK i ka dorëzuar Kuvendit kërkesën për autorizimin e arrestimit të Belinda Ballukut, duke e thelluar më tej peshën juridike dhe politike të kësaj çështjeje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



