GJKKO merr vendimin për Moisi Habilajn dhe “financierin” Nezar Seiti
Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar Moisi Habilajn me 15 vite burg. Për shkak të përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, dënimi i tij është ulur në 10 vite heqje lirie.
Po ashtu, GJKKO ka dënuar me 12 vite burg edhe Nezar Seitinin, i cilësuar si “financieri” i grupit kriminal. Edhe në këtë rast, për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar ulet në 8 vite burg.
Ndërkohë, gjykata ka vendosur pushimin e çështjes për dy persona të tjerë të përfshirë në proces: Fatmir Minajn dhe Meridian Sulajn.
Moisi Habilaj është kushëri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili më herët është akuzuar se ka favorizuar këtë grup kriminal.
Sipas vendimit të GJKKO-së, Moisi Habilaj dhe Nezar Seiti janë shpallur fajtorë për trafikim të lëndëve narkotike në katër episode të ndodhura gjatë viteve 2013–2017, në territorin e Shqipërisë dhe Italisë.
Dëshmia e Moisi Habilajt
Në fashikullin e gjykimit në Shkallën e Parë, rezulton se Moisi Habilaj është marrë në pyetje nga prokuroria më 30 maj 2018, në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvilloheshin hetimet.
Në deklarimet e tij, ai ka pohuar se aktivitetin e trafikimit të marijuanës nga Shqipëria drejt Italisë e ka nisur në vitin 2012, me këshillën e një personi të quajtur “Fatosh”, i njohur edhe si “Toshi”, pronar i një hoteli me emrin “Europa”, me të cilin ishte prezantuar nga Sabaudin Çelaj.
Habilaj ka deklaruar se ngarkesa e parë ishte 1.600 kilogramë lëndë narkotike, e sekuestruar në Brucoli të Italisë. Ai ka sqaruar se merrej me dërgesat, të cilat ishin gjithsej katër, dhe se transporti kryhej gjithmonë me rrugë detare, përmes peshkarexhave italiane.
Sipas tij, në Shqipëri vepronte “Fatoshi”, ndërsa në Itali përfshiheshin Meridian Sulaj, Sabaudin Çelaj dhe Nezar Seiti. Ai ka deklaruar se me Fatoshin takohej në Shqipëri dhe komunikonte edhe përmes mesazheve telefonike, por pa përmendur kurrë emrin e tij në biseda, pasi, sipas tij, ai i kishte këshilluar që të mos e përmendnin dhe e thërrisnin vetëm “kapo”.
Habilaj ka pohuar se Fatoshi ndryshonte shpesh numrat e telefonit dhe se ai nuk mban mend asnjë prej tyre. Në episodin e peshkarexhës “Fatima”, sipas tij, ishin persona të lidhur me Toshin, por emrat nuk i kujton.
Ai ka deklaruar se pretendimi për “mbrojtje” në Shqipëri u thuhej italianëve vetëm për t’i qetësuar dhe se realisht nuk kishin asnjë mbështetje. Sipas tij, në momente të caktuara i dërgonte mesazhe Fatoshit, pasi ky i fundit nuk ishte i pranishëm.
Në dëshminë e tij, Habilaj ka pohuar se ka pasur kontakte me Sokol Boden edhe gjatë periudhës së trafikut të drogës, por nuk mban mend komunikime specifike në datën 5 maj 2015. Ai nuk kujton nëse Florian Habilaj ka qenë me të më 6 maj 2015 dhe ka deklaruar se nuk i njeh Jaeld Çelën dhe Gjergji Kohilën.
Ai ka mohuar se ka folur për Saimir Tahirin apo për familjarët e tij, duke sqaruar se emrin e ish-ministrit e ka përmendur nga injoranca dhe për t’i dhënë rëndësi vetes. Ai ka deklaruar se bizhuteritë i kishte blerë për Fatoshin, por nuk e di se për kë konkretisht ishin dhe se ia ka dorëzuar një javë më pas në Shqipëri.
Moisi Habilaj ka theksuar se Saimir Tahirin e ka parë vetëm në televizor dhe se nuk ka pasur kurrë komunikim personal apo telefonik me të. Ai ka pranuar se vëllai i tij, Artan Habilaj, ka blerë automjetin e ish-ministrit, por se nuk e di çmimin dhe as nëse e njihte personalisht.
Ai ka deklaruar se përdorte automjetin 4–5 herë për udhëtime drejt Greqisë, Italisë dhe Malit të Zi dhe se në doganë i kërkoheshin vetëm dokumentet e mjetit.
Habilaj ka mohuar njohjen me një sërë personash të përfshirë në hetim, si Orges Liperi, Naim Brahimaj, Alban Aliaj, Gentjan Ceka, Boge Budini, Elvis Rexha dhe Krenar Cenollari. Për Armand Koçerrin ka deklaruar se mund të ketë pasur kontakte telefonike, por nuk ka dijeni për ndonjë veprimtari kriminale.
Ai ka mohuar çdo lidhje me funksionarë policie, duke theksuar se e vetmja lidhje e tij ishte partnerja Brunilda Alikaj, ndërsa ka sqaruar se udhëtimet me persona të lidhur me Policinë kanë qenë rastësore dhe pa lidhje me trafikun.
Moisi Habilaj në Kapitenerinë e Portit të Vlorës
Sipas procesverbalit të Kapitenerisë së Portit Vlorë për monitorimin e trafikut detar, më 8 shtator 2014, Moisi Habilaj është paraqitur për të kërkuar leje nisjeje për jashtë shtetit. Gjatë kontrollit, është konstatuar se mjeti lundrues nuk ishte në emrin e tij dhe se ai nuk dispononte prokurë të posaçme për përdorim.
Në një tjetër shënim, rezulton se mjetit ujor “Auras”, me tre persona në bord, i është dhënë leje lundrimi përgjatë bregut, brenda 3 miljeve detare.
Ish-kapiteni i Kapitenerisë së Portit Vlorë, Dhoinis Andoni, ka deklaruar se Moisi Habilaj kishte debatuar me oficerin e shërbimit për listën e pasagjerëve, ku figuronte emri i Saimir Tahirit si kapiten i skafit, gjë që fillimisht u konsiderua si shaka, pasi Tahiri ishte në atë kohë ministër i Brendshëm.
Sipas tij, pas njoftimit të Policisë dhe mungesës së ndonjë kundërshtimi zyrtar, një ditë më pas Moisi Habilaj është pajisur me leje nisjeje, me kusht që të lundronte përgjatë bregut në distancë 3 milje, për shkak të mungesës së pajisjeve të komunikimit detar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



