Amnistia penale, ministri Lamallari: Përfitojnë 10 mijë persona!
Ministria e Drejtësisë ka përfunduar hartimin e projektligjit për amnistinë penale, i cili tashmë i është përcjellë qeverisë dhe pritet të miratohet për t’u depozituar më pas në Kuvend. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, gjatë një konference për shtyp, ku ai dha detaje mbi kategoritë përfituese dhe efektet e këtij akti.
Sipas ministrit, nga amnistia penale pritet të përfitojnë rreth 10 mijë persona. Nga këta, 338 të dënuar do të lirohen menjëherë, ndërsa 980 të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit. Lamallari theksoi se filozofia e kësaj nisme është orientimi drejt rehabilitimit dhe jo ndëshkimit të verbër.
“Projektligji për amnistinë penale është dërguar në Këshillin e Ministrave. Pas miratimit në mbledhjen e qeverisë, ai do të depozitohet në Kuvend. Bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm përfituesish, rreth 10 mijë persona, përfshirë edhe procedime të vitit 2024. 338 persona do të përfitojnë lirim të menjëhershëm, ndërsa 980 të tjerë do të kenë ulje të dënimit”, deklaroi ministri.
Ai theksoi se një vëmendje e veçantë i është kushtuar grupeve vulnerabël, përfshirë gratë dhe të miturit, të cilët do të përfitojnë nga ky akt që, sipas tij, ka karakter human dhe social.
“Ky akt tregon se duhet të jemi një shoqëri që orientohet drejt parandalimit dhe rehabilitimit. Duhet t’u japim një shans të dytë atyre që, në momente të caktuara, bien pre e zbatimit represiv të ligjit. Arresti me burg duhet të jetë masa e fundit, jo rregulli”, u shpreh Lamallari.
Ministri sqaroi gjithashtu se nga kjo amnisti janë përjashtuar kategoritë që hetohen ose gjykohen nga Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
“Ky akt nuk përfshin persona që janë në hetim apo në proces gjykimi nga SPAK dhe GJKKO. Është e rëndësishme të mos krijohen spekulime, veçanërisht në kontekstin aktual dhe duke pasur parasysh mbështetjen që i kemi dhënë reformës në drejtësi dhe institucioneve të reja”, theksoi ministri i Drejtësisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



