E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Berisha njofton protestën e rradhës, zbulohet data dhe ora
Lajme

Berisha njofton protestën e rradhës, zbulohet data dhe ora

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar mbajtjen e protestës së radhës të opozitës, e cila do të zhvillohet më 10 shkurt, në orën 17:00, në Tiranë. Berisha u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen tubimit, duke e cilësuar revoltën qytetare si mjetin e vetëm për rrëzimin e asaj që ai e quan regjim.

Në një konferencë për mediat, Berisha deklaroi se zemërimi dhe reagimi i qytetarëve janë thelbësore për të ndalur padrejtësinë, vjedhjen dhe varfërimin e vendit. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe zv/kryeministren Belinda Balluku se po sfidojnë hapur drejtësinë, duke u shfaqur së bashku në publik, gjë që sipas tij përbën një fyerje për qytetarët.

“Sot më shumë se kurrë është fjala juaj, është guximi juaj, është revolta juaj, zemërimi juaj, qëndrimi ndaj padrejtësisë, ndaj vjedhjes, ndaj narkoshtetit, ndaj varfërimit dhe mjerimit nga plaçkitja e kësaj qeverie, që duhet të shpëtojë dhe do të shpëtojë Shqipërinë”, u shpreh Berisha.

Ai vijoi me akuza të ashpra ndaj kryeministrit, duke thënë se në vend të dorëheqjes, Rama “shëtit për të sfiduar qytetarët”, duke dhënë mesazhin se ligji dhe drejtësia nuk vlejnë për pushtetarët, por vetëm për qytetarët e zakonshëm.

“Ka qenë dhe është bindja ime më e prerë se është vetëm sovrani, gjuha e tij, revolta dhe zemërimi i tij ata që do bindin këtë grusht hajdutësh, këtë organizatë kriminale të kryesuar nga Edi Rama, të largohen një minutë e më parë nga pushteti dhe të hapin rrugën për një qeveri teknike dhe zgjedhje të ndershme”, deklaroi ai.

Sipas Berishës, protesta e 24 janarit mbetet e gjallë jo vetëm në Tiranë, por edhe në Europë dhe në diasporë, ndërsa shtoi se qytetarët shqiptarë dhe mbështetësit e tyre presin një reagim të fortë kundër qeverisë.

Në përfundim, Berisha ftoi të gjithë qytetarët, pa dallim moshe apo gjinie, që të marrin pjesë në protestën e 10 shkurtit në Tiranë, për t’i dhënë, sipas tij, “leksionin e merituar” qeverisë aktuale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.