Emrat/ Mashtrim me apartamente fiktive, arrestohet çifti në Tiranë
Një skemë mashtrimi e mirëorganizuar, e ndërtuar mbi blerje fiktive apartamentesh, ka çuar në pranga një çift bashkëjetuesish në Tiranë. Bëhet fjalë për Elvis Ramcën dhe Veriana Ziun, të cilët dyshohet se kanë përfituar shuma të mëdha parash duke mashtruar qytetarë dhe kompani ndërtimi.
Sipas hetimeve paraprake, deri më tani janë dokumentuar të paktën dy raste konkrete, ku viktimat kanë paguar për apartamente me vlerë rreth 150 mijë euro secili, pa marrë asnjë pronë në këmbim. Autoritetet dyshojnë se numri i personave të dëmtuar mund të jetë më i madh dhe po vijon puna për identifikimin e rasteve të tjera.
Dy të arrestuarit vepronin duke u premtuar qytetarëve blerjen e apartamenteve, ndërsa pas marrjes së parave, paraqisnin mandate bankare të falsifikuara për t’i bindur se shumat ishin depozituar. Të njëjtat dokumente false u shërbenin edhe për të mashtruar shoqëri ndërtimi, me qëllim lidhjen e kontratave fiktive të shitblerjes së apartamenteve.
Operacioni policor, i koduar “Agjentët e rremë”, u finalizua pas kallëzimeve të disa qytetarëve, të cilët denoncuan se kishin dhënë shuma të konsiderueshme parash, pa u realizuar blerjet e premtuara. Në kuadër të këtij operacioni, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me strukturat e Forcës së Posaçme Operacionale dhe repartin “Shqiponja”, arrestuan shtetasit E.R., 39 vjeç dhe V.Z., 34 vjeçe.
Nga verifikimet rezulton se skema e mashtrimit përfshinte përvetësimin e parave, falsifikimin e dokumenteve bankare dhe përdorimin e tyre për të krijuar besueshmëri të rreme si te qytetarët, ashtu edhe te përfaqësuesit e kompanive të ndërtimit.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje dhe për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të dëmtuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



