Ishte shpallur në kërkim për kultivim droge, arrestohet 46-vjeçari
Një 46-vjeçar i shpallur në kërkim për përfshirje në veprimtari kriminale të kultivimit të drogës është vënë në pranga nga Policia e Shkodrës.
Bëhet fjalë për shtetasin Gj. G., banues në fshatin Barbullush, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar në përshtatjen e dy banesave për kultivimin e bimëve narkotike me anë të ndriçimit artificial dhe pajisjeve elektrike.
Arrestimi i tij u krye nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vau i Dejës, në kuadër të operacionit të koduar “Neonët 5”.
Nga kontrollet e ushtruara disa javë më parë në këto ambiente, policia sekuestroi 583 bimë narkotike kanabis, rreth 7.5 kilogramë lëndë narkotike kanabis, si dhe 307 pajisje elektrike, të përdorura për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar 46-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, të kryera në bashkëpunim.
Policia bën me dije se vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim, të dyshuar si pjesë e kësaj veprimtarie kriminale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



