EMRI/ Dosja Epstein, kush i dëgoi email financierit për Shqipërinë
Dokumente të deklasifikuara dhe të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara, në kuadër të hetimeve që lidhen me Jeffrey Epstein, nxjerrin në dritë një komunikim elektronik të vitit 2010, ku përmendet në mënyrë surprizuese edhe Shqipëria. Në email, një person i identifikuar si Dan Dubno i drejtohet Epstein-it me një mesazh që përmban referenca ironike dhe një ofertë të paqartë bashkëpunimi.
Në përmbajtjen e komunikimit, Dubno përdor një gjuhë me tone humoristike, duke iu referuar një prone private të Epstein-it dhe duke bërë komente sarkastike, përfshirë edhe një përmendje të ashtuquajturës “mafia shqiptare”. Shprehjet e përdorura nuk shoqërohen me asnjë fakt apo provë konkrete dhe duket se janë pjesë e një komunikimi informal, pa bazë reale.
Email-i është pjesë e një sërë korrespondencash të zbardhura nga autoritetet amerikane, të cilat tregojnë përpjekjet e Epstein-it për të ndërtuar dhe zgjeruar rrjetin e tij të kontakteve personale dhe profesionale. Në shumë prej këtyre mesazheve, individë të ndryshëm shfaqen duke ofruar shërbime, ide apo bashkëpunime, shpeshherë përmes një gjuhe miqësore, ironike apo me referenca ndërkombëtare që nuk rezultojnë të verifikuara.
Autoritetet theksojnë se dokumentet e publikuara synojnë të hedhin dritë mbi rrjetin e gjerë të kontakteve të Epstein-it, ndërsa përmendjet apo komentet e përfshira në email-e individuale nuk përbëjnë në vetvete prova për aktivitet kriminal apo lidhje të mirëfillta me persona apo grupe të caktuara.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



