Korreshi ironizon kushtet skandaloze të Pediatrisë në Lushnje
Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka reaguar me nota ironie ndaj kushteve në pavionin e Pediatrisë në Spitalin e Lushnjës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka publikuar pamje që tregojnë qartë prani lagështire dhe rrjedhje uji në ambientet e brendshme të këtij reparti.
Në reagimin e tij, Korreshi u drejtohet qytetarëve me një mesazh sarkastik, duke i paralajmëruar që të jenë të kujdesshëm gjatë vizitave në Pediatri dhe madje të mos harrojnë as çadrën. “Kujdes kur të shkoni në Pediatrinë e Spitalit të Lushnjës. Merrni edhe ombrellë me vete”, shkruan deputeti, duke e ilustruar deklaratën me pamje nga pavioni.
Ai vijon më tej me ironi, duke e lidhur situatën me atë që e cilëson si “reformë të thellë në shëndetësi”. Korreshi ngre shqetësimin për rrezikun që paraqesin kushtet aktuale, veçanërisht në shkallët e pavionit që ndodhet në katin e katërt, ku lagështira mund të shkaktojë rrëshqitje. Sipas tij, këto kushte jo vetëm që dëmtojnë imazhin e shërbimit shëndetësor, por përbëjnë edhe rrezik real për fëmijët, prindërit dhe stafin mjekësor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



