Tronditëse! Oficeri i lartë grek i shiste Kinës të dhënat e NATO-s
Një çështje e rëndë spiunazhi ka vënë në alarm institucionet e sigurisë në Greqi, pasi një oficer i lartë i Forcave Ajrore u arrestua nën dyshimin se ka transmetuar informacione të klasifikuara ushtarake drejt një shteti të huaj, konkretisht Kinës.
Arrestimi u krye mëngjesin e sotëm brenda njësisë ku shërbente oficeri rreth 50 vjeç, i cili sipas raportimeve të mediave greke kishte akses në plane të ndjeshme të NATO-s dhe në dokumente strategjike që konsiderohen thelbësore për sigurinë kombëtare dhe aleancën euroatlantike. Burime pranë strukturave ushtarake bëjnë me dije se ai dyshohet se vepronte në interes të një shteti të tretë dhe u ndalua pak para se të dorëzonte një sasi të konsiderueshme të dhënash të klasifikuara.
Oficeri shërbente në Grupin e 128-të të Trajnimit të Telekomunikacionit dhe Elektronikës në zonën e Kavouri, një njësi e rëndësishme që i garantonte akses të drejtpërdrejtë në informacione konfidenciale. Ai përballet me akuzën për “mbledhje dhe transmetim të informacioneve sekrete me rëndësi ushtarake tek palë të treta”, një nga shkeljet më të rënda të Kodit Penal Ushtarak grek.
Sipas të dhënave paraprake, oficeri kishte qenë nën vëzhgim të vazhdueshëm për të paktën një muaj nga Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës Greke (NIS), në bashkëpunim me struktura të specializuara të kundërzbulimit ushtarak. Gjatë kësaj kohe janë mbledhur prova që konsiderohen të forta dhe që çuan në ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve për ndalimin e tij.
Dyshohet se ai përdorte aplikacionin e koduar Signal për komunikime, duke fshirë rregullisht mesazhet për të shmangur zbulimin e veprimtarisë së tij. Arrestimi u realizua pas një operacioni të koordinuar në detaje, me pjesëmarrjen e prokurorisë, agjentëve të inteligjencës dhe oficerëve të kundërzbulimit.
Aktualisht, oficeri ndodhet në paraburgim dhe po merret në pyetje nga autoritetet greke, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbuluar nëse në këtë aktivitet janë përfshirë persona të tjerë apo rrjete më të gjera spiunazhi.
Në një reagim zyrtar, Shtabi i Përgjithshëm i Mbrojtjes Kombëtare konfirmoi arrestimin dhe theksoi se veprimet e dyshuara përbëjnë një kërcënim serioz për interesat kombëtare dhe sigurinë ushtarake të Greqisë, si dhe për strukturat e NATO-s.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



