Arrestohen influencuesit e famshëm Andrew dhe Tristan Tate
Influencuesit e njohur të rrjeteve sociale, Andrew dhe Tristan Tate, janë arrestuar në Miami nga autoritetet amerikane, në kuadër të një kërkese për ekstradim të paraqitur nga Mbretëria e Bashkuar.
Sipas Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës në Britani, vëllezërit akuzohen për një sërë veprash të rënda penale, të cilat dyshohet se janë kryer ndaj disa grave në rajonin e Anglisë Lindore gjatë viteve 2010–2017.
Andrew Tate përballet me 42 akuza, mes tyre përdhunim, trafikim qeniesh njerëzore, sulm dhe posedim materialesh të papërshtatshme që përfshijnë të mitur. Ndërsa Tristan Tate akuzohet për 17 vepra penale, përfshirë përdhunim, sulm seksual dhe trafikim qeniesh njerëzore.
Departamenti amerikan i Drejtësisë ka konfirmuar se arrestimi është kryer në përputhje me traktatet ndërkombëtare të ekstradimit. Dy vëllezërit pritet të paraqiten përpara një gjykate federale në Miami gjatë ditëve në vijim, ku do të shqyrtohet procedura e mëtejshme.
Nga ana tjetër, mbrojtja ligjore e tyre i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke deklaruar se ata janë të pafajshëm. Avokati ka theksuar gjithashtu ekzistencën e një marrëveshjeje mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Rumanisë, sipas së cilës ekstradimi nuk duhet të procedohet përpara përfundimit të çështjeve gjyqësore që janë ende në zhvillim në Rumani.
Çështja pritet të marrë zhvillime të rëndësishme në ditët në vijim, ndërsa autoritetet e tre vendeve janë të përfshira në një proces kompleks ligjor ndërkombëtar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



