Miratohet amnistia penale, lirohen me qindra të burgosur
Qeveria ka miratuar projektligjin për amnistinë penale, i cili parashikon lirimin e menjëhershëm nga burgu të qindra personave dhe ulje dënimi për shumë të tjerë. Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Sipas tij, vendimi i miratuar do të depozitohet menjëherë në Kuvend për shqyrtim dhe miratim përfundimtar. Nga të dhënat e përditësuara në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Shërbimin e Provës dhe Prokurorinë e Përgjithshme, rezulton se 447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm nga burgu, ndërsa 853 të tjerë përfitojnë ulje të dënimit.
Ministri bëri të ditur gjithashtu se nga Shërbimi i Provës përfitojnë 5077 persona të dënuar me masa alternative, ndërsa numri i përgjithshëm i përfituesve pritet të jetë edhe më i lartë për shkak të pushimit të ndjekjes penale për vepra të lehta. Duke nisur nga viti 2024, parashikohet të pushohen rreth 14 mijë procedime penale për vepra me rrezikshmëri të ulët shoqërore.
Lamallari e cilësoi amnistinë si një akt human dhe një mundësi të dytë për rehabilitim dhe riintegrim në shoqëri për personat që kanë kryer vepra të lehta. Sipas tij, kjo nismë synon gjithashtu uljen e mbipopullimit në burgje dhe fokusimin e sistemit të drejtësisë tek rastet me rrezikshmëri reale shoqërore.
Ai theksoi se nuk bëhet fjalë për tolerancë ndaj krimit, por për një qasje më të balancuar dhe efikase të drejtësisë penale, në përputhje me standardet evropiane dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës për reduktimin e përdorimit të panevojshëm të paraburgimit.
Ministri i Drejtësisë shprehu pritshmërinë që Parlamenti ta shqyrtojë projektligjin pa vonesa, në mënyrë që efektet e amnistisë të ndihen sa më shpejt nga përfituesit dhe familjet e tyre.
Nga kjo amnisti nuk do të përfitojnë personat që janë subjekt i hetimeve dhe proceseve të Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK dhe GJKKO).
Pas depozitimit në Kuvend, projektligji do të shqyrtohet fillimisht në komisionet parlamentare përkatëse dhe më pas do të kalojë për votim në seancë plenare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



