KPK: 364 ankesa nga qytetarët! Na duhen prova për vendime korruptive
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, një organ i ngritur në kuadër të reformës në drejtësi, që për kompetencë ka rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, thotë se ka marrë deri më tani 364 ankesa për vendime të ndryshme në procese gjyqësore.
Ankesat janë dorëzuar nga qytetarët, por KPK sqaron se nuk ka si mision rishikimin e këtyre vendimeve gjyqësore.
“Misioni ynë nuk është rishikimi i vendimeve gjyqësore, po mbledhja e të dhënave dhe fakteve konkrete lidhur me veprime korruptive”, thotë KPK.
334 ankesa janë dorëzuar në këtë institucion përgjatë gjithë vitit 2017, ndërkohë që 30 ankesa të tjera janë bërë në ditët e para të janarit.
Sipas këtij Komisioni, ankesat e qytetarëve nuk përfshijnë dorëzimin e provave dhe fakteve, por vetëm pretendimin e tyre për një vendim të padrejtë dhe të dyshuar korruptiv nga gjyqësori.
Njoftimi zyrtar
Në kuadër të transparencës dhe bashkëpunimit me publikun, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, duke marrë shkas nga numri i lartë i ankesave të qytetarëve, dëshiron të informojë edhe një herë publikun se misioni i KPK-së nuk është të rishikojë vendimet e gjykatave, por të mbledhë të dhëna, prova dhe fakte konkrete lidhur me veprime korruptive apo shkelje ligjore të subjekteve të rivlerësimit.
Në vitin 2017, në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit janë depozituar 334 ankesa, ndërsa gjatë ditëve të para të vitit 2018 ka pasur 30 ankesa nga qytetarët.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstaton se nuk janë depozituar nga qytetarët prova dhe fakte konkrete lidhur me subjektet që do të rivlerësohen në bazë të tri kritereve të parashikuara në ligjin nr.84/2016, por bëhet fjalë për ankesa ndaj vendimeve të cilësuara prej tyre si të padrejta nga ana e sistemit të drejtësisë.
Qytetarët kanë paraqitur të njëjtat argumente me të cilat janë mbrojtur edhe në gjykatë, ose kanë dorëzuar thjesht vendimet e gjykatave. Për të denoncuar subjektet e rivlerësimit (gjyqtarët dhe prokurorët), Komisioni ka vënë në dispozicion formularin e posaçëm të denoncimit, që gjendet online në faqen zyrtare kpk.al. Ky formular mund të plotësohet me ndihmën e një punonjësi të KPK-së, në mjediset e këtij institucioni, në adresën: Rruga e Kavajës, ish-godina e “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve”.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit inkurajon qytetarët që çdo informacion të vlefshëm që mund të kenë (fotografi, dokumente e të dhëna të tjera), ta ndajnë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe të kontribuojnë në këtë proces jetik për vendin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



