Zbulohet skenari i PD-së për të ‘paralizuar’ vendin në 20 shkurt!
Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partia Demokratike, Aleksandër Biberaj, ka folur për zhvillimet më të fundit politike në opozitë gjatë një interviste televizive, ku zbuloi edhe një episod të panjohur më parë lidhur me një ofertë të marrë nga qeveria.
Biberaj u ndal te çështja e ish-përfaqësuesve të opozitës që kanë pranuar poste publike nga mazhoranca. Ai tregoi se edhe vetë ka marrë një ofertë direkte nga kryeministri Edi Rama, por e ka refuzuar pa hezitim.
Sipas tij, bëhej fjalë për pozicione të rëndësishme politike, të cilat nuk i ka konsideruar asnjëherë si opsion. Biberaj tha se përgjigjja e tij ka qenë e qartë: ai mbetet i djathtë dhe nuk ka nevojë për poste apo mandate që vijnë nga kundërshtarët politikë. Ai shtoi se edhe reagimi i Ramës ka qenë ironik, duke i thënë: “Pse, unë jam i majtë?”.
“Ofertë kam pasur edhe unë nga Edi Rama, por nuk jam tunduar për asnjë moment. As nuk më ka shkuar në mendje. Kanë qenë oferta për pozicione të rëndësishme politike, të cilat unë i kam refuzuar pa asnjë lloj dyshimi. Përgjigjja ime ka qenë korrekte, gjykoj: Unë jam i djathtë dhe nuk kam nevojë për një mandat deputeti. Dhe për kuriozitet, përgjigjja e tij ka qenë: Pse, unë jam i majtë?”, tha Biberaj.
Biberaj foli edhe për protestën e radhës që opozita pritet të organizojë kundër qeverisë. Ai paralajmëroi se protesta mund të marrë forma të ndryshme dhe të shtrihet në disa pika strategjike të vendit.
Sipas tij, organizatorët po shqyrtojnë mundësinë e bllokimit të rrugëve kryesore, porteve dhe aeroporteve, si dhe qëndrimin për orë apo edhe ditë të tëra në protestë. Biberaj theksoi se këto janë ide dhe skenarë të mundshëm, ndërsa vendimet finale do t’i marrin strukturat organizuese.
“Organizatorët e protestës do të shohin mundësinë e diversifikimit të saj. Mund të bllokohen rrugë, porte, aeroporte… Mund të rrihet aty (në Bulevard) me orë, ndoshta me ditë, ose ndoshta edhe me net. Këto janë mendimet e mia, por protesta është një e drejtë civile dhe qytetare.”, tha Biberaj.
Opozita ka paralajmëruar protestë më 20 shkurt, në përvjetorin e rrëzimit të shtatores së Enver Hoxha nga Sheshi Skënderbej, një datë simbolike për tranzicionin politik në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



