E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
McAllister “i tërheq veshin” Shqipërisë për drejtësinë dhe politikën
Lajme

McAllister “i tërheq veshin” Shqipërisë për drejtësinë dhe politikën

“Çështja Balluku, test kritik për Shqipërinë në luftën ndaj korrupsionit”

Kryetari i Komisionit për Çështjet e Jashtme në Parlamenti Evropian, David McAllister, deklaroi se Shqipëria vijon të mos arrijë standardet e kërkuara në luftën kundër korrupsionit, duke theksuar se procesi i reformave duhet të vazhdojë me ritëm të qëndrueshëm dhe pa ndërhyrje politike.

Në një dalje për mediat, zyrtari i lartë evropian vuri në dukje se progresi i bërë deri tani është i rëndësishëm, por ende i pamjaftueshëm për të garantuar besim të plotë te institucionet. Ai i bëri thirrje klasës politike shqiptare që të shmangë çdo ndërhyrje në sistemin e drejtësisë dhe të kontribuojë në forcimin e institucioneve të pavarura.

Sipas tij, përmbushja e plotë e legjislacionit ekzistues, plotësimi i vendeve vakante në organet e drejtësisë dhe ruajtja e pavarësisë së tyre janë hapa të domosdoshëm për të çuar përpara luftën kundër korrupsionit. McAllister theksoi gjithashtu se politikanët duhet të jenë shembull në veprimet e tyre dhe të tregojnë përgjegjësi të lartë publike.

“Ekziston nevoja për të ruajtur forcën shtytëse në luftën kundër korrupsionit. Shumë është arritur në këtë fushë por nuk është në nivelin e kënaqshëm. Javën që shkoi doli raporti i TI, Shqipëria ka humbur 11 vende në renditje.

Është e nevojshme që të ketë një zbatim të plotë të legjislacionit, të ketë plotësim të stafit të strukturave të drejtësisë, të mos ketë ndërhyrje politike dhe duhet që politikanët të udhëheqin duke dhënë ata vetë shembullin”, tha McAllister.

Ai u ndal edhe te reforma zgjedhore, duke nënvizuar se ndryshimet duhet të realizohen me kohë përpara zgjedhjeve të ardhshme dhe të përfshijnë të gjitha palët politike, përfshirë opozitën, në mënyrë që procesi të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent.

Gjatë vizitës në Tiranë, McAllister u pyet edhe për çështjen e Belinda Balluku, e pezulluar nga detyra si zëvendëskryeministre dhe për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin. Ai konfirmoi se rasti ka qenë pjesë e diskutimeve në takimet e zhvilluara në Shqipëri, por theksoi se nuk mund të komentojë mbi çështje individuale që janë në proces ligjor.

“Kjo çështje ka pasur një rol gjatë vizitës dhe takimeve tona në Shqipëri. Nuk jam në pozicion të komentoj një çështje individuale. Po vij nga Brukseli dhe kam dijeni mbi rastin, por nuk do të përfshihem në çështjet ligjore të këtij rasti”, deklaroi ai.

Megjithatë, McAllister theksoi se përtej aspektit juridik, rasti ngre edhe çështje të përgjegjësisë politike, e cila duhet të trajtohet nga vetë qeveria shqiptare.

““Nuk jam në pozicion të komentoj raste individuale në detaje, por do të them se çështja që përfshin zv/kryeministren Balluku është test kritik për Shqipërinë në luftën e saj kundër korrupsionit. Kjo është gjithashtu një pyetje për përgjegjësinë politike dhe duhet të zgjidhet brenda qeverisë shqiptare”, u shpreh kryetari i AFET.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.