E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kolapsi në transport, qytetarët “marrin malet” me sinjalistika kartoni
Lajme

Kolapsi në transport, qytetarët “marrin malet” me sinjalistika kartoni

Në mungesë të ndërhyrjes institucionale dhe përballë një fluksi të pazakontë automjetesh, banorët e fshatit Spathar në Librazhd janë detyruar të marrin vetë masa për të orientuar drejtuesit e mjeteve. Ata kanë vendosur tabela paralajmëruese dhe orientuese në segmentin rural që lidh Spatharin me Rrugën Antike Via Egnatia dhe më pas me zonat Dardhë–Hotolisht.

Ky segment, i projektuar për qarkullim lokal, është kthyer në rrugën e vetme alternative pas bllokimit të aksit kombëtar Librazhd–Prrenjas në zonën e Arrave të Gurrës. Për pasojë, nga një rrugë fshati, ky segment është shndërruar brenda pak ditësh në një korridor të përkohshëm që mban të lidhur Tiranë me një pjesë të madhe të Juglindjes së vendit.

Fluksi i jashtëzakonshëm i automjeteve ka nxjerrë në pah edhe brishtësinë e infrastrukturës. Një pjesë e segmentit, e asfaltuar relativisht së fundmi, ka nisur të dëmtohet nga ngarkesa e pazakontë, ndërsa pjesë të tjera të amortizuara prej vitesh janë bërë të vështira për t’u kaluar. Gropat, çarjet dhe mungesa e sinjalistikës zyrtare e kthejnë këtë rrugë alternative në një sfidë për drejtuesit e mjeteve.

Për shkak të mungesës së tabelave zyrtare, banorët kanë improvizuar sinjalistikë me mjete rrethanore për të orientuar trafikun dhe për të shmangur rrezikun e aksidenteve. Në një aks që lidh kryeqytetin me zonat juglindore, orientimi përmes tabelave të vendosura me dorë është kthyer në zgjidhjen e vetme momentalisht.

Banorët shprehen të revoltuar për mungesën e reagimit nga institucionet përgjegjëse. Sipas tyre, në terren nuk ka prani të mjeteve të Autoritetit Rrugor Shqiptar apo të kompanive që punojnë në segmentet e Korridorit VIII për të stabilizuar këtë aks alternativ dhe për të garantuar kushtet minimale të sigurisë.

Mbrëmjen e së hënës, një përfaqësi e banorëve të zonës bëri thirrje për solidaritet dhe ndërhyrje të menjëhershme institucionale për përmirësimin e parametrave të rrugës Spathar–Rruga Antike Egnatia–Dardhë–Hotolisht. Ata paralajmërojnë se nëse nuk do të ketë ndërhyrje konkrete në ditët në vijim, mund të ndërmarrin edhe masa ekstreme, përfshirë bllokimin e qarkullimit si formë presioni ndaj institucioneve.

Ndërkohë, ky aks është jetik jo vetëm për qarkullimin e zakonshëm, por edhe për emergjencat shëndetësore dhe lidhjen ekonomike mes Tiranës dhe Juglindjes së vendit. Çdo përkeqësim i mëtejshëm i situatës rrezikon të thellojë izolimin e zonës dhe të sjellë pasoja të rënda sociale dhe ekonomike.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.