Conference League, Drita dhe Shkëndija drejt “misionit të pamundur”
Mbrëmja e sotme sjell emocione në UEFA Europa Conference League, ku do të zhvillohen ndeshjet e kthimit të fazës “Play-Off”, një etapë vendimtare që përcakton skuadrat që do të avancojnë më tej në kompeticion.
Në total do të zbresin në fushë 16 ekipe, të ndara në 8 përballje, të cilat do të luhen në dy orare të ndryshme. Vëmendje të veçantë do të marrin edhe dy skuadra shqiptare që synojnë të shkruajnë historinë duke siguruar kualifikimin në raundin tjetër.
Në orën 18:45, NK Celje do të përballet me FC Drita. Ndeshja e parë ka përfunduar me rezultatin 3-2 dhe skuadra shqiptare do të tentojë përmbysjen për të siguruar kalimin më tej në kompeticion.
Një tjetër sfidë me interes për tifozët shqiptarë është ajo mes KF Shkëndija dhe Samsunspor. Ekipi nga Tetova kërkon përmbysjen pas humbjes minimale 1-0 në takimin e parë të zhvilluar në shtëpi.
Po në të njëjtin orar do të luhen edhe përballjet mes ACF Fiorentina dhe Jagiellonia Białystok, ku italianët kanë fituar 3-0 në ndeshjen e parë, si dhe dueli mes HNK Rijeka dhe AC Omonia, ku kroatët vijnë me avantazhin e fitores 1-0.
Ndërkohë në orën 21:00 janë programuar katër përballje të tjera interesante: AZ Alkmaar – FC Noah (0-1), Crystal Palace F.C. – HŠK Zrinjski Mostar (1-1), FC Lausanne-Sport – SK Sigma Olomouc (1-1) dhe Lech Poznań – Kuopion Palloseura (2-0).
Këto përballje do të përcaktojnë skuadrat që do të vazhdojnë rrugëtimin drejt fazave më të avancuara të Conference League, me ekipet shqiptare që synojnë një mbrëmje historike në arenën europiane.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



