Dinamo ndalet në barazim ndaj Pafos, kualifikimi vendoset në Qipro
David Luiz: Gjithçka është ende e hapur
Naser Aliji: Pika më e fortë është grupi
Klevi Qefalija: Jemi gati për grupet
Ysni Ismaili: Të gjithë e ëndërrojnë ftesën e Kombëtares
Dinamo nuk ka mundur të marrë fitoren në ndeshjen e parë të fazës ‘play-off’ të Conference League, teksa “Blutë” barazuan 1-1 me Pafos në “Elbasan Arena”. Një rezultat që lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit në Qipro, ku skuadra e Ilir Dajës do të kërkojë të sigurojë kualifikimin në fazën e ligës së kompeticionit.
Sfida nisi e ekuilibruar, me të dyja skuadrat që tentuan të merrnin kontrollin dhe të krijonin raste për të zhbllokuar rezultatin. Pafos pati mundësinë më të mirë të pjesës së parë në minutën e 37-të, kur fitoi një 11-metërsh.
David Luiz mori përsipër ekzekutimin e penalltisë, por mbrojtësi brazilian nuk arriti ta kthente në gol, duke humbur një mundësi të artë për t’i dhënë avantazhin skuadrës qipriote.
Në fundin e pjesës së parë, ishte radha e Dinamos për të kërcënuar portën kundërshtare. Hekuran Berisha u shfaq në një pozicion të favorshëm, por nuk arriti të mposhtte portierin e Pafos dhe dy skuadrat shkuan në dhomat e zhveshjes me rezultatin 0-0.
Dinamo shënon, por Pafos reagon shpejt
Pas pushimit, Dinamo u shfaq më kërkuese dhe mori më shumë kontrollin e lojës. “Blutë” rritën presionin dhe krijuan disa situata të rrezikshme pranë portës së Pafos.
Presioni i vendasve u shpërblye në minutën e 78-të. I sapofuturi David Fadairo dërgoi topin në rrjetë, duke kaluar Dinamon në avantazh dhe duke ndezur festën në “Elbasan Arena”.
Sulmuesi i huazuar nga Partizani u shfaq në momentin e duhur dhe i dha skuadrës së Ilir Dajës një avantazh që dukej se mund ta çonte Dinamon drejt fitores.
Megjithatë, avantazhi zgjati vetëm pesë minuta.
Në minutën e 83-të, Pafos fitoi një tjetër penallti pas një ndërhyrjeje të Lorenco Vilës. Lele u vendos përballë topit dhe këtë herë skuadra qipriote nuk gaboi. Ekzekutimi ishte i saktë dhe rezultati u barazua në 1-1.
Në minutat e mbetura, Dinamo tentoi të rikthente avantazhin, por nuk arriti të gjente golin e dytë. Në fund, të dyja skuadrat u ndanë në barazim dhe gjithçka do të vendoset në ndeshjen e kthimit.
Takimi i dytë do të zhvillohet më 27 gusht, në orën 19:00, në Qipro. Dinamos i duhet një rezultat pozitiv në transfertë për të siguruar kalimin në fazën e ligës së Conference League.
Maran në stadium, sinjale për Kombëtaren?
Një tjetër element që tërhoqi vëmendjen në “Elbasan Arena” ishte prania e trajnerit të Kombëtares shqiptare, Rolando Maran.
Prezenca e teknikut italian ka ngritur pikëpyetje nëse vëzhgimi i tij lidhet edhe me disa prej futbollistëve të Dinamos, veçanërisht me mbrojtësin e krahut të djathtë Ysni Ismaili dhe Klevi Qefalijan. Të dy lojtarët u pyetën për këtë çështje pas ndeshjes në prononcimet për “OFFSIDE”.
Ismaili u shpreh se prania e Maran nuk mund të lidhet vetëm me të, duke theksuar se në stadium ishin edhe futbollistë të tjerë që mund të jenë në vëmendjen e stafit të Kombëtares.
“Po besoj se kemi edhe një lojtar tjetër me ne, Naser Aliji, që është gjithashtu te ekipi kombëtar. Besoj se ka ardhur edhe për lojtarë të tjerë, se s’mund të themi që ka ardhur vetëm për mua. Të gjithë lojtarët e presin ftesën, e kanë ëndërr të luajnë me Kombëtaren”, tha Ismaili.
Për ndeshjen e kthimit, mbrojtësi i Dinamos u shfaq optimist dhe theksoi se skuadra do të ketë kohë për të analizuar kundërshtarin.
“Besoj që tani kemi shumë kohë të analizojmë kundërshtarin. I kemi pikat e forta si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje. Besoj që do ia dalim atje, sepse kemi shumë kohë ta analizojmë kundërshtarin”, u shpreh Ismaili.
Aliji: Kartonët do të na penalizojnë
Naser Aliji u ndal veçanërisht te situata e kartonëve dhe mungesat që Dinamo do të ketë në ndeshjen e kthimit.
“Trajneri thjesht na tha që do të ikim në Qipro dhe do të japim maksimumin, ta provojmë që të kualifikohemi atje. Për penalltinë nuk di çfarë të them, se nuk e kam parë akoma në televizor, por me kartonët që i dha dy lojtarëve tanë që do të na mungojnë në ndeshjen e dytë, nuk më duk shumë e drejtë”, tha Aliji.
Ai vlerësoi forcën e grupit dhe besimin që ekziston brenda skuadrës.
“Pika më e fortë është grupi që jemi, sepse jemi gjithmonë bashkë, si në momente të vështira, ashtu edhe në momente të mira. Ne gjithmonë besojmë që do ia dalim”, u shpreh mbrojtësi.
Qefalija: Jemi gati për fazën e ligës
Klevi Qefalija e cilësoi si pozitive paraqitjen e Dinamos, pavarësisht barazimit në shtëpi.
“Mendoj që sot zhvilluam një ndeshje të mirë. Ishte e vështirë, një kundërshtar cilësor. Dihet, kanë qenë vjet në Champions, por mendoj që do të jetë pak problem për mungesat që do të kemi, pasi tre lojtarë mungojnë për arsye kartonësh. Mendoj që kjo do të na vështirësojë pak, por gjithsesi kemi frymë që do të japim më të mirën për të kaluar në grupe”, deklaroi Qefalija.
Futbollisti i Dinamos beson se skuadra e ka dëshmuar gjatë gjithë aventurës europiane se është e aftë të përballet me kundërshtarë të fortë.
“Mendoj se jemi gati për grupet në Conference League. Jemi gati, sepse e kemi treguar që nga raundi i parë kualifikues. Kaluam Astanën, një kundërshtar shumë, shumë të fortë. Edhe Alumini me Audën na kanë vënë vështirësi, por ia kemi dalë. Mendoj se jemi gati. Kemi zhvilluar ndeshje të mira. Shumicën e ndeshjeve i kemi dominuar si në aspektin e lojës, ashtu edhe me raste. Edhe sot e njëjta gjë ishte. Patëm shumë raste dhe mendoj që ndeshjen tjetër do të tregohemi më cinikë”, tha ai.
I pyetur për praninë e Rolando Maran në stadium, Qefalija kujtoi se edhe sezonin e kaluar kishte qenë pranë një ftese nga Kombëtarja, por një dëmtim e kishte penguar.
“Vjet ka qenë e njëjta periudhë që kam qenë shumë pranë Kombëtares, por për shkak të një dëmtimi nuk arrita të shkoja. Detyra ime është të jap më të mirën. Pastaj se çfarë do të sjellë, se çfarë do të zgjedhë trajneri për lojtarët që do të marrë, është zgjedhja e tij. Detyra ime është të jap më të mirën dhe maksimumin gjithmonë”, u shpreh Qefalija.
David Luiz: Gjithçka është ende e hapur
Mbrojtësi brazilian David Luiz, i cili pati edhe mundësinë për të shënuar nga pika e bardhë në pjesën e parë, e cilësoi sfidën të vështirë dhe theksoi se kualifikimi mbetet i hapur për të dyja skuadrat.
“Mendoj se ishte një ndeshje e vështirë për të gjithë. E dinim që do të ishte një ndeshje shumë e vështirë këtu, sidomos sepse ata luajnë shumë mirë në shtëpi. Kanë lojtarë të shkëlqyer, si edhe një filozofi shumë të mirë, dhe ne e dinim këtë”, tha braziliani për “OFFSIDE”.
Sipas tij, rezultati 1-1 nuk favorizon përfundimisht asnjërën prej skuadrave dhe vendimi do të merret në ndeshjen e kthimit.
“Rezultati është ai që është. Mendoj se gjithçka është ende e hapur për të dyja skuadrat. Do të përpiqemi të bëjmë më të mirën dhe të ndjekim strategjinë më të mirë për t’u kualifikuar”, u shpreh David Luiz.
Me barazimin në “Elbasan Arena”, Dinamo nuk arriti të shfrytëzojë avantazhin e fushës, por ruan të gjitha mundësitë për kualifikim. Përballja e 27 gushtit në Qipro do të jetë vendimtare për fatin europian të “Bluve”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



