I shkarkuari para 6 muajsh, emërohet drejtori i Spitalit të Lushnjës
Korreshi shpërthen dhe publikon dokumentin: Tallje me lushnjarët!
Deputeti Saimir Korreshi ka hedhur akuza të forta ndaj drejtuesve të Spitali i Lushnjës, duke e cilësuar situatën në këtë institucion si pasojë e vendimmarrjeve të gabuara dhe emërimeve të pajustifikuara.
Sipas Korreshit, drejtori aktual i spitalit ishte shkarkuar vetëm gjashtë muaj përpara se të emërohej në krye të institucionit, për shkak të mospërmbushjes së detyrave funksionale. Ai shprehet se një vendim i tillë ngre pikëpyetje serioze mbi kriteret e përzgjedhjes dhe përgjegjësinë institucionale.
Deputeti ngre dyshime edhe për mënyrën si po menaxhohen ndërhyrjet në infrastrukturën e spitalit. Ai kërkon sqarime lidhur me lejen e ndërtimit, zhvendosjen e Urgjencës dhe reparteve të patologjisë, si dhe përzgjedhjen e godinës që do të ristrukturohet. Sipas tij, ndërhyrja po kryhet në një nga godinat më të reja të spitalit, ndërkohë që Materniteti dhe Pediatria mbeten jashtë projektit. Shqetësim ai shpreh edhe për situatën në bankën e gjakut.
Korreshi e konsideron të gjithë këtë proces si mungesë transparence ndaj qytetarëve të Lushnjës dhe kërkon përgjigje të qarta nga autoritetet përgjegjëse.

Reagimi i plotë:
E po kësaj i thonë: deshët nën/Drejtor Ekonomik, ta gëzoni Drejtorin.
Drejtori i Spitalit të Lushnjës, 6 muaj përpara se ta emëronin Drejtor, është shkarkuar. Urdhri në foto e tregon qartë. Lexoni pikën 5 të urdhrit: “Për shkak të mospërmbushjes me korrektësi të detyrave funksionale… të cilat kanë krijuar probleme për mosfunksionimin e institucionit…”
Por meqë ishte i dalluar për mosfunksionim, atëherë e graduan dhe sot vazhdon të jetë Drejtor!
Hajde gallatë, hajde.
Prandaj edhe Spitali ka përfunduar në atë farë feje. Skëterrë.
Po pse u desh të flisja unë që të jepej leja e ndërtimit?
Po pse, pa leje ndërtimi, u zhvendosën si Urgjenca ashtu edhe repartet e patologjisë?
Po a u thoni dot lushnjarëve se godina që do të ristrukturohet është më e reja në atë spital?
Po a u thoni se nuk do të ristrukturohen as Materniteti dhe as Pediatria, por vetëm një godinë? Për të mos folur pastaj për situatën te banka e gjakut.
A quhet tallje me lushnjarët?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



