Lufta/ Ministria apel shqiptarëve: Mos udhëtoni në Lindjen e Mesme
Përshkallëzimi i situatës ushtarake në Lindjen e Mesme, në kuadër të zhvillimeve të lidhura me konfliktin në Iran, ka shtyrë autoritetet shqiptare të dalin me një njoftim zyrtar për sigurinë e shtetasve.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën të ditur se gjendja e sigurisë në rajon mbetet e paqëndrueshme dhe e paparashikueshme, ndërsa tensionet vijojnë të rriten. Në këtë kontekst, qytetarëve shqiptarë u kërkohet të shmangin çdo udhëtim drejt vendeve të përfshira në rajon, deri në një njoftim të dytë.
Çfarë këshillohen të bëjnë shqiptarët që ndodhen aktualisht në rajon?
Shtetasit e Republikës së Shqipërisë që ndodhen në zonat e prekura nga tensionet këshillohen:
-
Të tregojnë vigjilencë maksimale dhe të shqyrtojnë me prioritet mundësinë e largimit përmes linjave ajrore, për aq kohë sa ato vazhdojnë të operojnë;
-
Të ndjekin zhvillimet përmes burimeve mediatike të besueshme dhe kanaleve zyrtare të informacionit;
-
Të zbatojnë në çdo moment udhëzimet e autoriteteve lokale;
-
Të mbajnë dokumentet e udhëtimit dhe mjetet e komunikimit gjithmonë të gatshme;
-
Në rast emergjence, të kontaktojnë përfaqësitë diplomatike dhe konsullore shqiptare në rajon dhe të veprojnë sipas udhëzimeve të tyre.
Autoritetet paralajmërojnë se, nëse situata e sigurisë përkeqësohet më tej, mbyllja e hapësirës ajrore në një zonë më të gjerë është një skenar i mundshëm. Në këtë rast, fluturimet mund të anulohen pa paralajmërim paraprak. Për çdo informacion që lidhet me udhëtimet ajrore, qytetarët këshillohen të komunikojnë drejtpërdrejt me kompanitë përkatëse.
Sipas njoftimit zyrtar, institucionet shqiptare janë në monitorim të vazhdueshëm të zhvillimeve dhe do të informojnë në kohë reale për çdo ndryshim të situatës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



