Çahet sërish asfalti, pëson dëmtime rruga Maliq-Lozhan
Aksi rrugor Maliq–Lozhan–Strelcë ka pësuar dëmtime të reja pas përdorimit intensiv gjatë ditëve të fundit. Rruga u shfrytëzua për më shumë se 10 ditë si alternativë nga drejtuesit e mjeteve që udhëtonin drejt Gramsh, pas bllokimit të aksit Librazhd–Prrenjas.
Fluksi i lartë i automjeteve duket se ka rënduar më tej gjendjen e infrastrukturës në këtë segment rrugor. Në disa pjesë të aksit janë konstatuar rrëshqitje dherash, dëmtime të barrierave mbrojtëse, si dhe çarje të thella në asfalt që kanë sjellë deformim të trupit të rrugës.
Edhe pse tashmë qarkullimi është ulur pas rihapjes së aksit kryesor, dëmtimet e krijuara gjatë kësaj periudhe mbeten një shqetësim serioz për drejtuesit e mjeteve dhe banorët e zonës.
Deri më tani nuk është ndërhyrë për riparimin e këtyre problemeve, ndërsa ekspertët theksojnë se nevojiten ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të gjendjes së rrugës.
Aksi Maliq–Lozhan–Strelcë është ndërtuar nga kompania Gjikuria dhe investimi për realizimin e tij ka kapur vlerën e rreth 1.4 miliardë lekëve. Problemet e përsëritura në këtë segment kanë ngritur shpesh pikëpyetje lidhur me cilësinë e punimeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



