Mbrojtja mohon akuzat
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka dhënë pretencën në procesin gjyqësor ndaj Altin Hajrit, duke kërkuar dënimin e tij me burgim të përjetshëm për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prenga.
Hajri, pronari i kompleksit “Golden” në Shijak, po gjykohet në mungesë për përfshirje në ngjarjen e rëndë që tronditi vendin në vitin 2020. Sipas akuzës, ai ka pasur dijeni për rrëmbimin e Prengës dhe ka bashkëpunuar me autorët e tjerë të dyshuar.
Ngjarja ndodhi më 17 janar 2020 në zonën e Kamzës, ku Jan Prenga u rrëmbye pas disa ditësh ndjekje. Hetimet kanë zbuluar se ai u dërgua në një kompleks në Shijak, ku edhe u pa për herë të fundit. Sipas prokurorisë, viktima u mbajt peng dhe u torturua, ndërsa trupi i tij ende nuk është gjetur.
Avokatët e Altin Hajrit kanë kundërshtuar kërkesën e SPAK për burgim të përjetshëm. Mbrojtja, e përfaqësuar nga avokati Aranit Roshi, ka deklaruar se klienti i tij nuk ka pasur asnjë lidhje me rrëmbimin.
Sipas avokatit, Hajri ndodhej në ambientet e biznesit kur disa persona të maskuar kanë sjellë aty një person duke pretenduar se ishte sëmurë. Ai ka theksuar se Hajri u ka dhënë ujë dhe vetëm pasi ka vënë re armë dhe gjurmë gjaku ka kuptuar se bëhej fjalë për një ngjarje të rëndë, duke larguar më pas familjarët nga ambientet e kompleksit.
Megjithatë, sipas SPAK, nga provat e mbledhura gjatë hetimit rezulton se Hajri kishte dijeni për rrëmbimin dhe ka bashkëpunuar me autorët e kësaj ngjarjeje kriminale.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se rrëmbimi i Jan Prengës dyshohet të jetë porositur si akt hakmarrjeje për një sasi droge të humbur në Angli, ku ishte përfshirë vëllai i viktimës, Ndrek Prenga.
Në këtë çështje përmendet edhe emri i Dritan Rexhepi, një figurë e njohur e botës së krimit, i cili dyshohet se ka porositur rrëmbimin nga Ekuador, ku ndodhej në atë kohë.
Vendimi përfundimtar pritet të jepet nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).







