Tërmeti i fortë ‘shkund’ Greqinë, lëkundjet ndihen dhe në Shqipëri
Një tërmet me magnitudë 5.3 ballë të shkallës Rihter është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së dielës në veriperëndim të Greqisë, duke u ndjerë edhe në disa zona të jugut të Shqipërisë.
Sipas të dhënave zyrtare të Institutit Gjeodinamik grek, lëkundjet sizmike u regjistruan rreth orës 05:32 me orën lokale, ndërsa epiqendra ishte rreth 12 kilometra në lindje të Leptokarisë, në rajonin e Thesprotisë. Tërmeti ka pasur një thellësi fokale prej rreth 12.9 kilometrash, çka konsiderohet relativisht e cekët dhe për këtë arsye është ndjerë më fort në zonat përreth.
Vetëm katër minuta më vonë është regjistruar edhe një tjetër lëkundje me magnitudë 4.7 ballë, në të njëjtën zonë sizmike, rreth 20 kilometra nga Janina, pranë kufirit me Shqipërinë.
Lëkundjet janë ndjerë në disa rajone të Greqisë, veçanërisht në Ishujt Jonianë dhe në zonën e Thesalisë, ndërsa raportime për ndjesi të tërmetit kanë ardhur edhe nga qytete në jug të Shqipërisë.
Sizmologu grek Efthymios Lekkas deklaroi për mediat se të dhënat paraprake tregojnë për një tërmet relativisht të fortë, i cili ka ndodhur në një thellësi të vogël. Ai theksoi gjithashtu se rajoni ka histori aktiviteti sizmik dhe se lëkundje të kësaj magnitude zakonisht ndodhin pa paralajmërim.
Nga ana tjetër, autoritetet lokale në Janinë bëjnë të ditur se deri tani nuk janë raportuar dëme materiale. Pas lëkundjeve, shumë banorë të qytetit dolën jashtë banesave për shkak të frikës.
Në disa zona u raportua edhe një ndërprerje e përkohshme e energjisë elektrike, e cila u rikthye shpejt në qytetin e Janinës, ndërsa në zonat përreth furnizimi me energji u rikthye pas një kohe më të gjatë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



