Tërmeti në Greqi, Janina shpall gjendjen e emergjencës
Autoritetet lokale në qytetin e Janinës në Greqi kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme të mbrojtjes civile, pas tërmetit të fuqishëm që goditi zonën më 8 mars dhe shkaktoi dëme në disa ndërtesa dhe institucione. Vendimi hyri në fuqi më 9 mars dhe synon menaxhimin e situatës së krijuar pas lëkundjeve sizmike.
Masa është marrë nga Sekretari i Përgjithshëm i Mbrojtjes Civile dhe do të mbetet në fuqi për një periudhë tre mujore. Shpallja e emergjencës erdhi pas kërkesës së kryetarit të Bashkisë së Janinës, Thomas Bega, i cili kërkoi aktivizimin e mekanizmave shtetërorë për përballimin e pasojave të tërmetit.
Lëkundjet sizmike shkaktuan dëmtime në disa objekte publike dhe ndërtesa të tjera në zonë. Pamjet e publikuara nga vendngjarja tregojnë dëme edhe në ambiente të institucioneve lokale, ndërsa ekipet teknike kanë nisur verifikimet për të përcaktuar shkallën reale të dëmtimeve.

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme i jep mundësi Bashkisë së Janinës të kërkojë mbështetje financiare nga ministritë përgjegjëse, me qëllim riparimin e objekteve të dëmtuara dhe rikthimin e normalitetit në zonë.
Ndërkohë, shërbimet bashkiake dhe ekipet e specializuara vijojnë inspektimet në shkolla, ndërtesa administrative dhe infrastrukturë të ndryshme publike, për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të përfunduar vlerësimin e plotë të situatës.
Sipas të dhënave paraprake, tërmeti arriti një magnitudë rreth 5.5 ballë të shkallës Rihter dhe u ndje fuqishëm në disa zona përreth. Banorët raportuan momente paniku gjatë lëkundjeve, ndërsa ekspertët e sizmologjisë kanë paralajmëruar se pasgoditjet janë të mundshme edhe në ditët në vijim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



