
Të maskuar me armë dhe shkopinj bejsbolli shfaqen me Audi të bardhë në ambjentet e televizionit MCN
Një incident i rëndë që ngre alarmin për sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias është regjistruar në Tiranë. CEO i MCN TV, Endri Meksi, është kërcënuar nga persona të maskuar që janë paraqitur pranë ambienteve të medias rreth ores 23:00 të dielën, me një Audi të bardhë, të armatosur dhe të pajisur me shkopinj bejsbolli.
Sipas informacionit të siguruar nga gazetari ynë, tre persona të maskuar kanë dalë nga automjeti dhe kanë kërcënuar drejtuesin e MCN TV të maskuar dhe të armatosur duke kërcënuar vetë drejtuesin e televizionit.
Burime konfirmojnë se për ngjarjen është bërë kallëzim nga vetë Endri Meksi, ndërsa gazetari ynë ka kontaktuar edhe me një oficer të policisë gjyqësore (OPGJ) që konfirmon kallëzimin.
Pas incidentit, Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë të disa bizneseve përreth, si dhe kamerat e vetë MCN TV, për të identifikuar autorët e ngjarjes. Nga pamjet që janë parë deri tani, tre personat janë larguar me shpejtësi në drejtim të zonës së Saukut.
Ngjarja konsiderohet tepër e rëndë pasi kërcënimi ka ndodhur brenda ambienteve të një media, duke ngritur shqetësime serioze për klimën e sigurisë dhe pavarësisë së gazetarëve në Shqipëri.
Ky rast vjen në një klimë të tensionuar mes pushtetit dhe medias. Retorika e përdorur shpesh nga kryeministri i vendit, i cili e ka stigmatizuar median me termin “kazan”, sipas shumë analistëve ka kontribuar në krijimin e një atmosfere armiqësore ndaj gazetarëve dhe institucioneve mediatike.
Hetimet janë në zhvillim dhe pritet që nga analizimi i kamerave të sigurisë të bëhet identifikimi i autorëve të kërcënimit ndaj drejtuesit të MCN TV.







