“25-vjeçaren nuk e dhunonte veç i shoqi, dhe familjarët e tjerë”
Detajet tronditëse rreth vdekjes së Xhuana Nikollajt
Të tjera detaje janë bërë publike në lidhje me ngjarjen tragjike të 25-vjeçares Xhuana Nikollaj, e cila dyshohet se i dha fund jetës pas një periudhe të gjatë dhune psikologjike dhe fizike. Për këtë rast është shpallur në kërkim ish-bashkëshorti i saj, Eraldo Fizi.
Sipas informacioneve të bëra publike nga gazetarja Aida Topalli, e reja nuk është përballur me dhunë vetëm nga ish-partneri, por edhe nga disa anëtarë të familjes së tij. 25-vjeçarja ishte martuar në qershor të vitit 2025, pas një njohjeje të hershme që datonte që nga vitet e gjimnazit, por martesa rezultoi e shkurtër dhe përfundoi me divorc vetëm tre muaj më vonë.
Sipas dëshmive të familjarëve, menjëherë pas martesës ajo kishte rrëfyer për tensionet dhe problemet që përjetonte në familjen e bashkëshortit. Në disa raste, sipas këtyre dëshmive, dhuna nuk kishte qenë vetëm psikologjike, por edhe fizike, ndërsa situata në familje ishte bërë gjithnjë e më e vështirë për të. Thuhet se ajo kishte kërkuar që çifti të jetonte veçmas, për të shmangur konfliktet me familjarët e bashkëshortit.
Pas ndarjes, 25-vjeçarja kishte nisur të rindërtonte jetën e saj. Ajo kishte filluar punë në Lezhë si notere, por sipas familjarëve ishte përballur sërish me përndjekje nga ish-bashkëshorti. Për këtë arsye kishte vendosur të zhvendosej në Tiranë, me shpresën për të nisur një kapitull të ri larg problemeve të së kaluarës.
Familjarët kishin dijeni për dhunën që ajo pretendonte se kishte përjetuar dhe kishin bërë edhe kallëzim ndaj ish-bashkëshortit. Sipas informacioneve, ai është shpallur në kërkim nga autoritetet që prej 10 marsit, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Ngjarja bëhet edhe më tragjike pasi e reja po përgatitej për një fillim të ri në jetën e saj. Ajo pritej të festonte së shpejti ditëlindjen dhe kishte bërë plane për një punë të re në profesionin e saj. Madje kishte blerë edhe veshje të reja për këtë fillim të ri.
Sipas të dhënave të bëra publike, pasi kishte konsumuar helm, 25-vjeçarja kishte telefonuar motrën e saj që jeton në Angli. Kjo e fundit kishte lajmëruar menjëherë pronarin e banesës dhe një shoqe të saj, të cilët ndërhynë për ta ndihmuar. Ajo u dërgua në spital me shenja jete, ku përpara mjekëve dhe policisë kishte deklaruar se dhuna nga ish-bashkëshorti ishte arsyeja që e kishte shtyrë drejt këtij akti ekstrem.
Në një letër të lënë për familjarët, e reja kërkonte falje vazhdimisht për vendimin e saj dhe shprehte dhimbjen që kishte përjetuar gjatë kësaj periudhe. Sipas burimeve pranë hetimit, ajo kishte shkruar se nuk mund të përballonte më dhunën dhe presionin që kishte përjetuar.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



