E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
‘Pis, nuk ua fal abortin e dy fëmijëve’, debate të forta në gjyqin e Veliajt
Lajme

‘Pis, nuk ua fal abortin e dy fëmijëve’, debate të forta në gjyqin e Veliajt

Seanca e radhës në GJKKO për dosjen ndaj Erion Veliaj dhe 29 të pandehurve të tjerë është shoqëruar me tensione dhe përplasje të forta mes palëve, duke përfunduar me shtyrjen e saj.

Në qendër të debatit ishte çështja e njohjes me aktet hetimore. Avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, deklaroi në sallë se klienti i tij nuk është njohur me materialet dhe kërkoi që fashikujt të dorëzohen me inventar të detajuar, fletë për fletë, në përputhje me procedurat ligjore.

Nga ana tjetër, SPAK këmbënguli se aktet i janë vënë në dispozicion të pandehurit, por janë refuzuar prej tij dhe aktualisht ndodhen në ambientet e IEVP Durrës.

Debati u ashpërsua më tej nga deklaratat e prokurorit Ols Dado, i cili bëri me dije se gjatë tentativës për dorëzimin e akteve në burg, Veliaj ka shfaqur sjellje kundërshtuese dhe fyese në prani të oficerëve gjyqësorë. Sipas tij, kryebashkiaku e ka ofenduar drejtpërdrejt duke përdorur gjuhë të rëndë dhe akuza personale.

Prokurori citoi se Veliaj është shprehur: “ky prokuror ndër më të pasurit” dhe më tej ka reaguar me tone të ashpra duke thënë se i është “shkatërruar familja” dhe se “dy abortet e fëmijëve të mi nuk ua fal”.

Në përgjigje, mbrojtja argumentoi se mënyra e dorëzimit të akteve ka qenë e parregullt, duke pretenduar se oficerët kanë shkuar pa njoftim paraprak dhe pa praninë e avokatit, çka sipas tyre cenon të drejtën për një mbrojtje efektive.

Gjykata, pasi dëgjoi palët, vlerësoi se kërkesa për inventarizim të detajuar është një proces i panevojshëm në këtë fazë, duke theksuar se fashikujt ndodhen në dispozicion në ambientet e burgut.

Seanca e radhës për këtë çështje është caktuar të mbahet më 1 prill.

Pjesë nga debati në sallë:  

Plarent Ndreca: Fakt është që klienti im nuk është njohur me aktet. Janë shumë materiale. E vetmja kërkesë është që ne t’i marrim me inventar. Kërkesa ime është që kam qenë në institucion, prezent, është një proces thelbësor dhe prokuroria ka përgjegjësi qe t’ia vendosë në dispozicion fashikujt me inventar dhe t’i marrim siç duhen marrë. Jo me matje fashikujsh por të llogaritet çdo fletë dhe të jem bashkë me klientin

Gjykata: Fashikujt gjenden në një ambient në burg

Plarec Ndreca: Po dhe nuk janë marrë sepse duhen marrë me ligj dhe me rregulla. Klienti im ka kërkuar që të njihet me aktet, sepse as unë nuk jam njohur, e vetmja kërkesë është që ne t’i marrim me inventar, sepse nuk mund t’i marrim në atë mënyrë. Prokuroria ka detyrim që të bëj një inventar dhe t’i marrë aktet ashtu siç duhet, jo me numra fashikujsh.

Gjykata: Aktet ndodhen ne IEVP Durrës

Plarent Ndreca: Orientoni prokurorin apo OPGJ që të bëjmë një inventar të akteve në praninë time dhe të klientit tim, jo në atë mënyrë siç janë dhënë.

Prokurori Ols Dado: Dua ta nis nga shprehja e avokatit që tha janë dhënë aktet “Opshe” nuk ka një situatë të tillë. OPGJ kanë shkuar në IEVP Durrës, ata kanë kontaktuar me Erion Veliaj, që në momentet e para ka shfaqur sjelle kundërshtuese, me sjellje jo etike. Veliaj ka patur sjellje kundërshtuese dhe fyese gjatë dorëzimit të akteve. Oficeri thotë se ai ka fyer prokurorin Ols Dado atë ditë, duke thënë ‘ky prokuror ndër më të pasurit’. Oficeri më pas ka kontaktuar me drejtues të IEVP Durrës, oficerët kanë filluar t’i sqarojnë Veliajt se përse ndodhen aty, ai ka folur me fjale  fyese, ka akuzuar se më keni shkatërruar familjen. I është drejtuar hetuesit duke i thënë ‘ky pis më ka shkatërruar familjen, abortin e dy fëmijëve të mi nuk kam për të ua falur’. Ne mendojmë që Veliaj është vënë në dijeni për fashikujt që në korrik 2025 nga avokatët e megjithatë gjykata ka vendosur që t’ia japë dhe në burg. Tani na del që i pandehuri i kërkon me inventarizim.

Plarent Ndreca: Nuk i thuhet të pandehurit na merri ku i ke, ndaj thashë “Opshe”. Kanë shkuar pa njoftuar të pandehurit, pa njoftuar mbrojtësin e caktuar nga gjykata, dhe kanë shkuar në qeli. Prokurori duhet ta kuptojë që kur një njeri ka një vit në burg, patjetër do ketë emocione se kur përballet me këtë sjellje arrogante do ketë reagimin e tij. Gjykata ka marrë vendim ta njohë me aktet, por nëse njohja me aktet është thjesht t’ia lësh mbi tavolinë, jo ne i duam me inventarizim. Nëse ne duam të njihemi me aktet dhe për një mbrojtje efiçente, kemi të drejtën tonë kushtetuese të mbrohemi dhe qe ta bëjmë këtë, nuk duhet të ndodhë që të mbahen aktet dhe pastaj jepen pa procesverbal. Ne po kërkojmë gjënë më bazike, kërkojmë njohje me aktet në mënyrë efiçente

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.