Mashtrim 2.2 milionë euro në Tiranë, 6 persona dërgohen për gjykim
Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim gjashtë persona, si edhe pesë shoqëri tregtare, të dyshuara për përfshirje në një skemë mashtrimi me vlerë rreth 2.2 milionë euro, në dëm të një shtetaseje.
Në fokus të çështjes është Adnand Mahmuti, i cili akuzohet se ka përfituar shumën përmes mashtrimit dhe shpërdorimit të besimit. Sipas hetimeve, paratë i janë dhënë në formë huaje nga viktima, e cila i kishte siguruar nga shitja e një pasurie të paluajtshme, me qëllim investimi në projekte të lidhura me transmetimet sportive përmes platformave digjitale.
Organi i akuzës bën me dije se fondet nuk janë përdorur sipas marrëveshjes dhe nuk janë kthyer, pavarësisht se subjektet e përfshira rezultonin me mundësi financiare për të shlyer detyrimet.
Hetimet kanë nxjerrë në pah se i pandehuri ka shfrytëzuar raportin e besimit me kallëzuesen, si edhe rolin e tij në disa kompani, për të realizuar skemën e dyshuar.
Në këtë procedim penal janë përfshirë edhe pesë persona të tjerë: Blerina Kapaj, Blerina Kota, Mirela Guri, dhe Saimir Gora. Sipas Prokurorisë, ata kanë bashkëpunuar në këtë skemë, duke penguar kthimin e shumës dhe duke qenë në dijeni të aktivitetit të paligjshëm.
Pjesë e hetimeve janë gjithashtu pesë kompani: “MAGOWARE” sh.p.k., “OVER SPORT” sh.p.k., “TIBO AL” sh.p.k., “TIBO Communications” sh.p.k. dhe “TIBO” sh.p.k., të cilat dyshohet se janë përdorur për të qarkulluar dhe fshehur fondet e përfituara në mënyrë të kundërligjshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



