E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Bien këmbanat për Ballukun, nis zbërthimi i 80 pajisjeve elektronike
Lajme

Bien këmbanat për Ballukun, nis zbërthimi i 80 pajisjeve elektronike

Procesi pritet të zgjasë 40 ditë

Vendimi i fundit i Gjykatës së Posaçme i ka hapur rrugë një faze të re në hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Pas miratimit të kërkesës së SPAK, pajisjet elektronike të sekuestruara gjatë muajve dhjetor 2025 dhe janar 2026 janë dërguar për ekspertim në laboratorët e Prokurorisë së Posaçme.

Sipas burimeve pranë këtij institucioni, bëhet fjalë për rreth 80 pajisje, mes tyre telefona dhe kompjuterë, të cilat dyshohet se mund të përmbajnë prova të rëndësishme për avancimin e hetimeve. Prokurorët kanë argumentuar se ekzistojnë dyshime të bazuara që ish-zyrtarë dhe përfaqësues biznesesh kanë komunikuar mes tyre për të ndikuar në mënyrë të paligjshme në procedurat e tenderave me vlera të konsiderueshme.

Gjykata, pasi shqyrtoi kërkesën, dha autorizimin për këqyrjen e pajisjeve, ndërsa ligji parashikon që i gjithë procesi i ekspertimit të përmbyllet brenda një afati 40-ditor.

Ndërkohë, personat e përfshirë në këtë çështje – përfshirë ish-zyrtarë dhe biznesmenë – kanë të drejtën të kundërshtojnë në rrugë gjyqësore veprimet procedurale. Mes tyre përmenden emra si Erald Elezi, ish-administrator i KESH, Gentian Gjyli, ish-drejtues i Autoritetit Rrugor Shqiptar, si dhe disa përfaqësues kompanish private.

Nga ana tjetër, Belinda Balluku është në pritje të vendimmarrjes së Gjykatës së Lartë lidhur me rekursin e saj kundër masës së sigurisë “ndalim për të dalë jashtë vendit”. Po ashtu, ajo pritet të ankimojë edhe masën e pezullimit nga detyra, e cila vijon të mbetet në fuqi.

Ish-numri dy i qeverisë është nën hetim për dyshime mbi paracaktim tenderash në projekte madhore infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe segmentet e Unazës së Madhe.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.