E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pas përplasjes së fortë me ‘Skënderbeun’, ‘Mamica’ shfaqet me hunën përpjetë
Lajme

Pas përplasjes së fortë me ‘Skënderbeun’, ‘Mamica’ shfaqet me hunën përpjetë

Deputetja socialiste Elisa Spiropali ka reaguar në rrjetet sociale një ditë pas tensioneve të krijuara në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Në një postim të shkurtër në Facebook, ajo ka zgjedhur një mesazh simbolik: “Të dielë të bukur. Mbaje fytyrën nga drita dhe hijet mbeten pas”, duke e shoqëruar me një fotografi personale.

Ky reagim vjen pas një mbledhjeje të ngarkuar me debate, ku u raportuan përplasje të drejtpërdrejta mes saj dhe kryeministrit Edi Rama, si edhe me ministren për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili.

Sipas burimeve, momenti i parë i tensionit nisi gjatë një diskutimi teknik mbi çështje të kadastrës, ku drejtoresha e institucionit po jepte sqarime për një pyetje të deputetes Zamira Sinaj. Ndërhyrja e saj për të kërkuar që fjala të dëgjohej deri në fund u pasua nga reagimi i Spiropalit, e cila kërkoi më shumë respekt ndaj deputetëve në sallë.

Situata u përshkallëzua menjëherë, kur kryeministri Rama ndërhyri me tone të ashpra, duke i kërkuar Spiropalit të mos ndërhynte më gjatë diskutimit. Përplasja nuk mbeti vetëm në këtë episod.

Një moment i dytë tensioni u regjistrua gjatë raportimit të ministres Ismaili për strategjinë e komunikimit. Gjatë fjalës së saj, reagimet mimike të Spiropalit dhe një e qeshur e lehtë u interpretuan si mungesë serioziteti, çka solli një reagim të drejtpërdrejtë nga ministrja.

Spiropali u mbrojt duke sqaruar se reagimi i saj nuk lidhej me diskutimin në sallë, por me diçka që po shihte në telefon. Megjithatë, situata agravoi më tej kur ajo kërkoi ndjesë publike nga ministrja për mënyrën e komunikimit.

Në këtë pikë, kryeministri Rama ndërhyri sërish me një gjuhë edhe më të fortë, duke paralajmëruar se mund ta largonte nga mbledhja nëse ndërhyrjet do të vazhdonin. Reagimi i Spiropalit ishte po aq i drejtpërdrejtë, duke kërkuar që çdo kritikë t’i bëhej hapur dhe në prani të të gjithëve.

Debati krijoi një klimë të rënduar në sallë, ku për disa momente mbizotëroi heshtja. Situata u qetësua vetëm pas një ndërhyrjeje të deputetit Erion Braçe, që ndihmoi në rikthimin e rendit në mbledhje.

Kjo përplasje vjen në një moment kur raportet brenda grupit parlamentar socialist duket se po kalojnë një fazë delikate. Më herët, Spiropali kishte munguar në një seancë të rëndësishme parlamentare ku u diskutua çështja e imunitetit të Belinda Balluku, ndërsa më pas pati edhe shkëmbime në distancë me kreun e grupit parlamentar, Taulant Balla.

Ngjarjet e fundit tregojnë për një klimë të tensionuar brenda mazhorancës, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kjo situatë do të ndikojë në qëndrueshmërinë dhe funksionimin e grupit parlamentar në vijim.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.