‘Vila e Zogut’ shkrumb e hi? Miratohet kompleksi gjigand mes historisë

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Një projekt i përmasave të mëdha pritet të transformojë një nga zonat më të bukura dhe me vlerë historike në Durrës, shumë pranë Vila e Zogut. Në një kohë kur debatet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore janë intensifikuar, qeveria ka miratuar një leje zhvillimi për ndërtimin e një kompleksi të gjerë rezidencial dhe turistik në këtë zonë kodrinore me pamje nga deti Adriatik.

Bëhet fjalë për një projekt që përfshin ndërtime nga 1 deri në 7 kate mbi tokë dhe deri në 3 kate nëntokë, me funksione të përziera si apartamente, hoteleri dhe shërbime. Leja e zhvillimit është miratuar në fund të janarit 2026, megjithëse procedurat kishin nisur që në vitin 2024.

Rrafshohet “Vila e Zogut” në Durrës - Qeveria miraton

Rrafshohet “Vila e Zogut” në Durrës - Qeveria miraton

Zona ku pritet të ndërtohet projekti konsiderohet strategjike dhe me rëndësi të veçantë historike e natyrore. Ajo ndodhet pranë vilës së ish-mbretit Ahmet Zogu, një simbol i periudhës së viteve 1920-1930 dhe një pikë referimi për identitetin historik të qytetit.

Dokumentet përshkruajnë zonën si një mjedis të paprekur, me reliev kodrinor, pjerrësi të theksuar dhe të mbuluar me pisha e vegjetacion mesdhetar, duke ofruar një panoramë të gjerë dhe të hapur drejt detit.

Rrafshohet “Vila e Zogut” në Durrës - Qeveria miraton

Megjithatë, pikërisht kjo zonë pritet të transformohet ndjeshëm nga ndërtimet e reja. Projekti parashikon ngritjen e një kompleksi modern me apart-hotele, restorante, bare tematike, si dhe hapësira rekreative si palestra, kënde lojërash për fëmijë, pishina dhe qendra wellness & SPA.

Rrafshohet “Vila e Zogut” në Durrës - Qeveria miraton

Sipas të dhënave, sipërfaqja totale e zhvillimit arrin në rreth 15,977 metra katrorë, ndërsa projekti mban emrin “Pine Residences”. Arkitektura e parashikuar përfshin forma të pastra gjeometrike dhe një stil bashkëkohor, duke ndryshuar rrënjësisht karakterin aktual të zonës.
Ndërkohë, ekspertë dhe qytetarë kanë ngritur shqetësime për ndikimin që ky zhvillim mund të ketë mbi trashëgiminë kulturore dhe natyrore, duke qenë se zona përreth Ahmet Zogu konsiderohet me potencial arkeologjik dhe historik.

Projekti vjen në një moment kur në qytet po zhvillohen edhe ndërhyrje të tjera të mëdha urbane, duke shtuar debatet mbi balancën mes zhvillimit dhe ruajtjes së identitetit historik.

Publikuar nga Publik Media