E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Bardhi në Kuvend: Qeveria po diskrediton SHBA-të
Lajme

Bardhi në Kuvend: Qeveria po diskrediton SHBA-të

Rama të japë shpjegime për kërcënimin iranian

TIRANË – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka ngritur në Kuvend shqetësimin për çështjet e sigurisë kombëtare dhe raportin e qeverisë shqiptare me aleatët ndërkombëtarë, duke kërkuar praninë e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama në seancë plenare.

Në fjalën e tij, Bardhi u ndal te reagimi i qeverisë pas njoftimit zyrtar të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar qëndrimin e mazhorancës si të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm për marrëdhëniet me partnerin strategjik të Shqipërisë.

Sipas tij, opozita nuk disponon informacion zyrtar mbi çështjen, por minimizimi i një sinjali që vjen nga SHBA krijon pasoja serioze si për sigurinë kombëtare, ashtu edhe për besueshmërinë e shtetit shqiptar.

Bardhi deklaroi se qeveria nuk mund të paraqitet si e besueshme në fushën e sigurisë, ndërsa, sipas tij, ka dështuar prej vitesh në kontrollin e kontrabandës, trafikut të drogës dhe kultivimit të kanabisit në vend.

Ai akuzoi kryeministrin Rama se, përmes qëndrimit të mbajtur një ditë më parë, ka tentuar të diskreditojë informacionin zyrtar të Shteteve të Bashkuara, duke i dhënë qytetarëve mesazhin se njoftimet e aleatit strategjik nuk duhen marrë seriozisht.

Sipas Bardhit, ky nuk është një mesazh qetësues për qytetarët dhe turistët, por një sinjal i gabuar që dëmton besimin mes dy vendeve aleate dhe anëtare të NATO-s.

Në mbështetje të rregullores së Kuvendit, ai kërkoi që kryeministri të paraqitet menjëherë në sallë për të dhënë shpjegime mbi tre çështje kryesore: pse paralajmërimi i SHBA-së për synime me vullnet të keq të Iranit ndaj Shqipërisë u cilësua si hamendësim; çfarë niveli koordinimi ekziston me partnerët ndërkombëtarë për këtë çështje; si dhe cilat janë vlerësimet dhe masat konkrete të institucioneve shqiptare për situatën e sigurisë.

Bardhi theksoi se kryeministri dhe ministrat e kanë detyrim të marrin pjesë në seancë plenare kur kërkohen nga deputetët, duke kërkuar zyrtarisht prezencën e Ramës për të sqaruar situatën para Kuvendit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.