Një ngjarje e rëndë është shënuar në një zonë të thellë malore mbi fshatin Kamenicë, në qarkun e Korçës, ku janë gjetur pa shenja jete dy persona që dyshohet të kenë qenë emigrantë të paligjshëm.
Burime paraprake bëjnë me dije se viktimat janë të rinj, rreth moshave 25 dhe 30 vjeç. Nga verifikimet e para në vendin e ngjarjes nuk janë konstatuar gjurmë dhune, çka ka ngritur dyshimet se humbja e jetës mund të ketë ardhur si pasojë e kushteve të vështira atmosferike dhe temperaturave të ulëta në zonë.
Terreni i vështirë dhe moti i ftohtë dyshohet se kanë qenë faktorë vendimtarë në këtë ngjarje tragjike, ndërsa mbetet ende e paqartë prej sa kohësh viktimat ndodheshin në këtë zonë.
Forcat e Policisë dhe grupi hetimor ndodhen në terren, duke kryer veprimet procedurale dhe hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat, si dhe për të identifikuar viktimat.







