Brenda këtij muaji pritet të marrë fund periudha e kalimit pa pagesë në Tunelin e Llogarasë, pasi autoritetet po përmbyllin fazën e fundit të përgatitjeve për vendosjen e tarifave.
Aktualisht, puna është përqendruar te instalimi dhe testimi i sistemit të pagesës. Gjatë ditës së sotme janë zhvilluar provat përfundimtare për funksionimin e pajisjeve elektronike, përfshirë kamerat e sigurisë dhe sistemet e kontrollit, me qëllim garantimin e një procesi të qetë dhe efikas sapo të nisë tarifimi.
Sipas skemës së publikuar, tarifat do të variojnë në bazë të kategorisë së mjeteve. Motoçikletat do të paguajnë 100 lekë, ndërsa për automjetet e tonazhit të rëndë tarifa do të arrijë deri në 5000 lekë. Për autoveturat është parashikuar një tarifë prej 250 lekësh për një kalim, ose 500 lekë vajtje-ardhje. Ndërkohë, mjetet me karroceri do të paguajnë 500 lekë, ndërsa furgonët dhe autobusët 1000 lekë.
Vendosja e pagesës pritet të shoqërohet me reagime nga qytetarët, të cilët deri më tani e kanë përdorur tunelin falas. Në fokus mbetet edhe mundësia e aplikimit të tarifave të reduktuara apo kartave të posaçme për banorët rezidentë, një çështje që ende nuk është sqaruar plotësisht.
Paralelisht me këtë zhvillim, çështja e ndërtimit të tunelit vijon të jetë në vëmendje edhe për aspektin ligjor. Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë të pandehur ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, si dhe ish-drejtues të Autoriteti Rrugor Shqiptar, përfshirë Gentian Gjylin dhe Erald Elezin. Ata akuzohen për shkelje të barazisë në tenderin me vlerë rreth 190 milionë euro.







