E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Këshilli Bashkiak i Bulqizës mes tensioneve, banorët kundër impianteve fotovoltaike
Lajme

Këshilli Bashkiak i Bulqizës mes tensioneve, banorët kundër impianteve fotovoltaike

Mbledhja e Këshilli Bashkiak i Bulqizës është shoqëruar me tensione të forta, pasi u rikthye për t’u zhvilluar pas dështimit të seancës së parë për mungesë kuorumi.

Që në fillim, atmosfera në sallë u karakterizua nga përplasje dhe debate, të cilat u intensifikuan me praninë e banorëve nga Gjorica e Poshtme. Ata u paraqitën për të kundërshtuar planet për shfrytëzimin e tokave pyjore dhe kullosore, të cilat parashikohet të përdoren për ndërtimin e impianteve fotovoltaike.

Banorët deklaruan se këto projekte rrezikojnë drejtpërdrejt jetesën e tyre, duke prekur kullotat e përbashkëta që përdoren për blegtorinë dhe duke ndikuar negativisht në aktivitetin bujqësor. Sipas tyre, humbja e këtyre sipërfaqeve do të sillte pasoja serioze ekonomike dhe sociale për komunitetin lokal.

Gjatë mbledhjes, ndërhyrjet e vazhdueshme të banorëve, të cilët kërkuan më shumë transparencë dhe përfshirje në vendimmarrje, vështirësuan zhvillimin normal të diskutimeve. Ata akuzuan institucionet vendore për mungesë konsultimi paraprak dhe refuzuan të largoheshin nga salla, duke rritur më tej tensionet.

Një tjetër moment i nxehtë ishte përplasja mes këshilltarëve të opozitës dhe drejtuesve të këshillit lidhur me kërkesën për shkarkimin e sekretarit, Klodian Reçi. Opozita ngriti akuza për korrupsion, tejkalim kompetencash dhe shkelje të procedurave ligjore, sidomos në organizimin e dëgjesave publike për dhënien në përdorim të sipërfaqeve pyjore dhe kullosore.

Këshilltarët kërkuan që mocioni për shkarkimin e tij të hidhej menjëherë në votim, por kjo kërkesë u rrëzua nga kryetari i këshillit, Arben Çupi, i cili argumentoi se çështja nuk mund të trajtohej në atë moment dhe se do të shqyrtohej në një mbledhje të ardhshme.

Nga ana e tij, Reçi i mohoi akuzat, duke deklaruar se gjatë dëgjesave publike banorët kishin shprehur kundërshtimet e tyre, ndërsa theksoi se nuk ekzistojnë firma apo dokumente që të provojnë mbështetje të komunitetit për projektet në fjalë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.