Gati goditjet e radhës? Skënder Hita i zbarkon në zyrë Klodian Brahos

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Emërimet e reja në krye të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë duket se po sjellin një klimë më të hapur bashkëpunimi mes strukturave kyçe të shtetit. Një sinjal i qartë në këtë drejtim erdhi këtë të mërkurë, kur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një takim zyrtar në ambientet e SPAK.

Vetëm pak ditë pasi ka marrë detyrën, Hita u paraqit në selinë e institucionit për një bisedë me drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho. Takimi, i cili u zhvillua rreth mesditës, është fokusuar kryesisht në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe koordinimin e veprimeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ky është kontakti i parë zyrtar mes dy drejtuesve pas emërimit të Hitës, një lëvizje që po shihet si përpjekje për të ndërtuar ura më efikase komunikimi mes Policisë së Shtetit dhe strukturës së posaçme hetimore. Burime bëjnë me dije se në qendër të diskutimeve kanë qenë mekanizmat konkretë të bashkërendimit në operacione të përbashkëta dhe rritja e efektivitetit në goditjen e grupeve kriminale.

Ndryshe nga periudha e mëparshme, kur marrëdhëniet mes institucioneve shpesh perceptoheshin të ftohta, zhvillimet e fundit sugjerojnë një qasje më pragmatike dhe të koordinuar. Gjatë kohës kur në krye të SPAK ishte Altin Dumani, nuk munguan deklaratat kritike lidhur me lidhjet e mundshme të elementëve të caktuar brenda policisë me krimin e organizuar, çka ndikoi në tensionimin e raportit mes dy strukturave.

Në këtë kontekst, takimi i sotëm merr një rëndësi të veçantë, pasi shihet si një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe krijimit të një fronti të përbashkët kundër kriminalitetit. Paralajmërimet e mëhershme të Hitës për zero tolerancë ndaj çdo shkeljeje brenda radhëve të policisë përforcojnë pritshmëritë për një qasje më të ashpër dhe më të koordinuar në vijim.

Analistët e shohin këtë zhvillim si një tregues se strukturat ligjzbatuese mund të jenë në prag të aksioneve më të forta, veçanërisht ndaj grupeve të organizuara kriminale, ku bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe SPAK mbetet vendimtar.

Publikuar nga Publik Media