Arrestohen në Itali xhaxhallarët e Stenaldos pas 25 vitesh arrati

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Pas më shumë se dy dekadash në kërkim, drejtësia shqiptare ka arritur të lokalizojë dhe të vendosë në pranga në Itali dy vëllezërit Artur dhe Arben Mëhilli, të shpallur në kërkim për një vrasje të ndodhur në fund të viteve ’90 në Lushnjë.

Ngjarja e rëndë daton në vitin 1999, kur dy vëllezërit ekzekutuan të riun Rezar Metaj, në një akt hakmarrjeje që lidhej me vrasjen e vëllait të tyre, Sokol Mëhilli, dy vite më herët. Ky i fundit ishte vrarë në vitin 1997, ndërsa autori i krimit nuk ishte identifikuar dhe ndëshkuar nga autoritetet në atë kohë.

Në vitin 2001, Gjykata e Lushnjës i dënoi në mungesë me një total prej 32 vitesh burg, nën akuzat për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje. Menjëherë pas kryerjes së krimit, ata u larguan drejt Italisë, ku për vite me radhë arritën t’i shmangen drejtësisë duke përdorur identitete të rreme dhe duke siguruar dokumente qëndrimi.

Zbulimi i vendndodhjes së tyre erdhi pas një sinjalizimi nga autoritetet italiane, që ngriti dyshime mbi identitetin e disa personave që jetonin së bashku me familjarë të afërt. Për shkak të mungesës së gjurmëve të gishtërinjve në arkivat shqiptare, hetuesit iu drejtuan teknologjisë së avancuar të njohjes së fytyrës.

Përmes krahasimit të fotografive të vjetra me imazhet aktuale të siguruara nga Italia, u bë i mundur konfirmimi i identitetit të tyre, pavarësisht ndryshimeve fizike të shkaktuara nga kalimi i viteve.

Në momentin e krimit, Artur Mëhilli ishte 33 vjeç, ndërsa sot është arrestuar në moshën 60-vjeçare. Nga ana tjetër, Arben Mëhilli, që atëherë ishte 27 vjeç, tashmë është 54 vjeç. Të dy ndodhen në paraburgim dhe pritet të ekstradohen drejt Shqipërisë për të vuajtur dënimin.

Rasti ka rikthyer në vëmendje edhe lidhjen familjare me Stenaldo Mëhillin, i njohur për publikun nga pjesëmarrja në “Big Brother VIP”. Ai ka treguar më herët se babai i tij, Sokol Mëhilli, u vra kur ai ishte vetëm një muajsh.

Aktualisht, autoritetet shqiptare në bashkëpunim me ato italiane po finalizojnë procedurat ligjore për ekstradimin, duke i dhënë fund një historie të gjatë arratie që zgjati mbi një çerek shekulli.

Publikuar nga Publik Media