Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ndryshimet në ligjin për portet turistike, duke hapur rrugën për një model të ri investimesh në këtë sektor. Projektligji u votua me 76 vota pro dhe 26 kundër, ndërsa opozita e kundërshtoi në mënyrë të unifikuar.
Sipas ndryshimeve të reja ligjore, subjektet që gëzojnë statusin “investitor strategjik” nuk do të jenë më të detyruara të ndjekin procedurën e koncesionit për ndërtimin e porteve turistike. Ndryshe nga skema aktuale, ku këto struktura kalojnë në pronësi të shtetit pas një periudhe të caktuar, tashmë portet do të mbeten në pronësi të përhershme të investitorëve.
Nisma, e propozuar nga deputetja socialiste Zamira Sinaj, shkaktoi debate të forta në sallën e Kuvendit. Mazhoranca e mbrojti projektligjin si një hap të nevojshëm për të nxitur zhvillimin e turizmit dhe për të tërhequr investime të huaja.
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, u shpreh se ndryshimet do të sjellin një “frymë të re” në sektorin e porteve turistike dhe do të ndikojnë pozitivisht në ekonomi.
Në anën tjetër, opozita e cilësoi këtë nismë si të orientuar për interesa të caktuara. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se bëhet fjalë për një ligj “me porosi”, që sipas tij favorizon biznesmenë të lidhur me qeverinë.
Vetë propozuesja e ligjit argumentoi se ndryshimet synojnë thjesht lehtësimin e procedurave dhe rritjen e investimeve në turizëm. Ajo e lidhi këtë iniciativë edhe me interesin për të mbajtur në vend investitorë të rëndësishëm, duke përmendur konkretisht Jared Kushner dhe projektet e mundshme në Ishullin e Sazanit.
Paralelisht, Kuvendi miratoi edhe ndryshimet në ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, me 76 vota pro dhe 27 kundër.
Ndërkohë, dy nisma të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore – për ARRSH dhe AKSHI – nuk morën mbështetjen e shumicës dhe u rrëzuan në votim.
Në fund të seancës, Kuvendi votoi edhe për emërimin e Olta Rrushaj si pjesë e Këshillit Mbikëqyrës të Banka e Shqipërisë, me 74 vota pro, 26 kundër dhe 3 abstenime.







