Anulohen kontratat me operatorët e huaj
Hapja e shumëpritur e Aeroportit të Vlorës nuk do të realizohet as këtë sezon veror, duke sjellë pasoja të menjëhershme për sektorin e turizmit në jug të vendit.
Burime nga industria bëjnë me dije se mungesa e certifikimit ka pamundësuar nisjen e operimeve ajrore, çka ka detyruar tur-operatorët e huaj të anulojnë kontratat për këtë vit. Bëhet fjalë kryesisht për marrëveshje të tipit “allotment”, ku dhomat e hoteleve rezervohen paraprakisht pa parapagim, të përqendruara kryesisht në zonën e Vlorës.
Situata është konfirmuar edhe nga Elvis Kotherja, themelues i “Elite Travel Group & Elite Hospitality”, i cili theksoi se fluturimet charter nga vendet nordike nuk do të realizohen këtë verë. Sipas tij, ishin planifikuar të paktën tre fluturime në javë drejt Vlorës, që tashmë janë anuluar.
Megjithatë, ai nënvizoi se Shqipëria mbetet në fokusin e tregjeve nordike për vitin e ardhshëm. Madje, sipas negociatave të fundit, pritet një rritje e numrit të fluturimeve në pesë chartera në javë, me origjinë nga Norvegjia, Finlanda, Suedia dhe Danimarka.
Kjo është hera e dytë radhazi që dështimi për të hapur aeroportin ndikon negativisht në turizëm. Edhe sezonin e kaluar, fluturimet e planifikuara për në Vlorë u devijuan drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, ndërsa turistët u transportuan më pas me autobus drejt rivierës.
Ndërkohë, pasiguritë rreth projektit lidhen edhe me zhvillimet brenda konsorciumit që zotëron aeroportin. Dy aksionerët kryesorë janë përfshirë në një konflikt ligjor, ndërsa qeveria ka mbajtur një rol vëzhgues në këtë proces.
Edhe pse më herët ishte deklaruar se fluturimet mund të nisnin në qershor, burime pranë institucioneve përgjegjëse e kanë konsideruar këtë afat të paarritshëm. Sipas të njëjtave burime, është kërkuar një shtyrje e mundshme e hapjes deri në muajin shtator.
Mosfunksionimi i aeroportit vijon të mbetet një nga sfidat kryesore për zhvillimin e turizmit në jug, duke krijuar pasiguri për operatorët dhe humbje të mundshme për bizneset vendase.







