Shqipëria kundër Europës: Makinat me naftë dominojnë në rrugë

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Ndërsa në pjesën më të madhe të Evropë përdorimi i makinave me naftë është në rënie të vazhdueshme, në Shqipëri kjo kategori vazhdon të dominojë tregun e automjeteve të reja, duke e bërë atë më të ndjeshëm ndaj luhatjeve të çmimeve të karburanteve.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, gjatë tremujorit të parë të vitit 2026 janë regjistruar për herë të parë rreth 17.7 mijë automjete, ku afro 59% e tyre janë me naftë.

Ky nivel mbetet ndër më të lartët në kontinent. Referuar statistikave të Eurostat, në vitin 2024 vetëm rreth 15% e makinave të reja në Bashkimin Evropian funksiononin me naftë. Pas Shqipërisë, vendet me përqindjen më të lartë janë Moldavi me 47% dhe Bosnjë-Hercegovinë me 44%.

Megjithatë, krahasuar me vitin 2024, kur pesha e makinave me naftë arrinte në 66% të regjistrimeve të reja në vend, vihet re një rënie me rreth 6 pikë përqindje. Pavarësisht kësaj, dominimi i tyre mbetet i fortë.

Në të kundërt, në tregun europian automjetet me benzinë përbëjnë rreth 60% të regjistrimeve të reja. Ndërsa në Shqipëri, kjo kategori zë vetëm 18% të totalit për periudhën janar–mars 2026, duke reflektuar një strukturë tregu ndryshe nga trendi rajonal.

Një zhvillim pozitiv është rritja e makinave elektrike, të cilat kanë arritur në 13% të regjistrimeve gjatë këtij viti, një nivel i krahasueshëm me mesataren europiane të vitit 2024.

Të dhënat e Eurostat për periudhën 2014–2024 në 20 vende të BE-së tregojnë një ndryshim të fortë në preferencat e konsumatorëve. Numri i makinave me naftë, përfshirë edhe ato hibride, ka rënë me 67%, ndërsa automjetet me benzinë (po ashtu të kombinuara me teknologji hibride) janë rritur me 60%.

Një nga momentet kyçe që ndikoi këtë kthesë ishte skandali i njohur si Dieselgate, kur Volkswagen u akuzua për manipulimin e testeve të emetimeve për miliona automjete.

Ndikim të rëndësishëm kanë pasur edhe faktorë ekonomikë, si rritja e taksave mbi karburantet, ngushtimi i diferencës së çmimeve mes naftës dhe benzinës, si dhe orientimi gjithnjë e më i fortë i industrisë automobilistike drejt elektrifikimit.

Si rezultat, makinat me naftë po humbasin gradualisht terren në tregun europian, veçanërisht në segmentin e automjeteve të reja, ndërsa Shqipëria mbetet ende një përjashtim i dukshëm në këtë prirje.

Publikuar nga Publik Media