Një 29-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje dhe plagosje, është arrestuar në Belgjikë me qëllim ekstradimin drejt Shqipëri.
Bëhet fjalë për Nasi Hodo, i lindur në Sarandë, i cili ishte dënuar në vitin 2019 nga Gjykata e Vlorës me 18 vite burg për disa vepra të rënda penale, përfshirë “vrasje me dashje” në bashkëpunim, “vrasje me dashje” në tentativë dhe “plagosje të lehtë me dashje”.
Ngjarja për të cilën ai u dënua daton në korrik të vitit 2017, në fshatin Borsh, ku në bashkëpunim me dy persona të tjerë, dyshohet se vrau me thikë shtetasin P. B. dhe plagosi rëndë shtetasin E. M., pas një konflikti për motive të dobëta. Gjithashtu, ai akuzohet edhe për plagosjen e një personi tjetër, D. K.
Arrestimi i tij u bë i mundur falë bashkëpunimit të shpejtë mes Interpol Tirana dhe autoriteteve belge, në kuadër të operacionit të koduar “Ndërveprimi”, si pjesë e rrjetit ENFAST.
Sipas policisë, strukturat e FAST Albania siguruan informacion mbi vendndodhjen e tij në Belgjikë, duke mundësuar lokalizimin dhe kapjen nga policia belge.
Aktualisht, vijojnë procedurat për ekstradimin e tij në Shqipëri, ku do të vuajë pjesën e mbetur të dënimit prej 13 vitesh, 6 muajsh dhe 27 ditësh burgim.







