Hetimi për kokainën në kontenierin me mish pule të DIMAL kalon në SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë në dorëzim nga Prokuroria e Durrësit hetimin për sasinë prej rreth 41 kilogramësh kokainë të zbuluar në një kontejner me mish pule në Portin e Durrësit.
Droga u gjet e fshehur në pjesën e jashtme të kapakëve të kontejnerit, ku u konstatuan 37 paketime me lëndë narkotike. Sasia totale e sekuestruar është rreth 41 kilogramë e 350 gramë, me një vlerë të përllogaritur në treg prej afro 2 milionë eurosh.
Në qendër të hetimit është tashmë edhe itinerari i ngarkesës, dokumentacioni i importit dhe personat që kanë kryer porosinë e mishit të pulës. Sipas të dhënave të deritanishme, nuk rezulton të ketë prova që e lidhin kompaninë AMG DIMAL me trafikun e kokainës.
Pikërisht kjo është një nga pistat që pritet të sqarohet gjatë hetimit të SPAK. Autoritetet po verifikojnë të gjithë zinxhirin e porosisë së produktit, duke nisur nga subjekti që e ka porositur ngarkesën, dokumentet shoqëruese dhe destinacioni përfundimtar i saj.
Qëllimi është të përcaktohet se kush qëndron pas drogës dhe nëse kokaina është vendosur në kontejner pa dijeninë e subjektit që kishte porositur mishin, apo nëse pas ngarkesës fshihet një skemë më e organizuar.
Një tjetër element që po analizohet nga hetuesit është origjina dhe rruga e ndjekur nga kontejneri. Ngarkesa kishte ardhur nga Brazili dhe, sipas dokumentacionit, transportonte mish pule. Hetimi pritet të rindërtojë lëvizjet e saj nga pika e nisjes deri në mbërritjen në Portin e Durrësit.
Në këtë proces, SPAK ka bashkëpunuar edhe me hetues ndërkombëtarë, duke shkëmbyer informacion në kohë reale lidhur me operacionin dhe identifikimin e ngarkesës së dyshimtë.
Një nga pistat që po ndiqet lidhet me grupe kriminale shqiptare që veprojnë në Belgjikë. Dyshimet e hetuesve janë se kokaina mund të jetë pjesë e aktivitetit të rrjeteve kriminale shqiptare të goditura nga autoritetet belge pak ditë përpara sekuestrimit në Durrës.
Megjithatë, në këtë fazë bëhet fjalë për një pistë hetimore dhe jo për një përfundim të provuar. Detyra e hetimit është të përcaktojë nëse ekziston një lidhje konkrete mes këtyre grupeve dhe ngarkesës së kapur në Durrës.
Fakti që droga u gjet e fshehur në pjesën e jashtme të kontejnerit e bën të rëndësishëm edhe përcaktimin e momentit kur është futur në ngarkesë. Hetuesit duhet të përcaktojnë nëse ndërhyrja është kryer në vendin e origjinës, gjatë një prej pikave të tranzitit apo përpara mbërritjes së kontejnerit në Shqipëri.
Për momentin, hetimi vijon pa një autor të identifikuar publikisht për 41 kilogramët e kokainës. Përgjigjet pritet të dalin nga verifikimi i dokumentacionit tregtar, gjurmimi i itinerarit të kontejnerit dhe informacionet e shkëmbyera me autoritetet partnere jashtë vendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



