“Domatja shitet 6 herë më shtrenjtë”
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka ngritur shqetësimin për rritjen e pajustifikuar të çmimeve në treg, duke vënë theksin te produktet e importit dhe ndikimin e tyre te konsumatorët shqiptarë.
Gjatë deklaratës së tij, Braçe u ndal veçanërisht te çmimi i domates, duke theksuar diferencën e madhe mes kostos së importit dhe çmimit final me të cilin ky produkt shitet në treg.
“Kemi qenë nën agresionin e importit dhe çmimet në treg kanë qenë të justifikuara me këtë fakt. I jam drejtuar Drejtorisë së Doganave, veçanërisht për produktin që u bë hit, domatja. Ka dy zëra, domatja dhe domatina, të ardhura nga Greqia, Italia, Serbia dhe Turqia, ky ka qenë importi kyç yni. Janë diku te 2500 ton në harkun janar-mars, por çmimet që janë importuar dhe zhdoganuar të habisin. Numrat janë 5-6 herë më të lira sesa qytetarët kanë blerë në treg produktin domate.
Ky është një abuzim skandaloz në një treg ku nuk qarkullon faturë fiskale. Prodhimi bujqësor duhet mbështetur tani ndryshë në korrik-shtator do të vazhdojmë të importojmë! Duhet të ndalet abuzimi me çmimet e perimeve dhe frutave! Edhe në kushtet e importit është skandaloz dhe për fat të keq prodhimi vendas i ndjek të gjithë me radhë”, tha Braçe.
Sipas tij, kjo situatë kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përkatëse, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe forcimin e prodhimit vendas. Deputeti thekson se pa masa konkrete, vendi rrezikon të mbetet i varur nga importet edhe në muajt në vijim, duke ndikuar drejtpërdrejt në çmimet dhe ekonominë familjare.







