PD ‘zbarkon’ në shtëpinë e Edi Ramës: Beu i Surrelit me kështjellë betoni

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Linda Rama gënjeu në deklarimin e pasurisë

Partia Demokratike ka bërë publike në rrjetet sociale disa të dhëna që lidhen me banesën e kryeministrit Edi Rama në zonën e Surrelit, duke ngritur pikëpyetje mbi përmasat e saj dhe deklarimet zyrtare të pasurisë.

Sipas opozitës, referuar të dhënave të platformës ASIG Geoportal, godina rezulton të ketë një gjatësi prej 58.42 metrash. Ky pretendim vjen në një kohë kur më herët kryetari i opozitës, Sali Berisha, ka deklaruar se banesa në fjalë është rreth 57 metra e gjatë, pra 1.42 metra më e gjatë.

Në të njëjtin reagim, Partia Demokratike thekson se sipërfaqja e truallit që rrethon banesën arrin në 8,259 metra katrorë. Sipas saj, kjo shifër është rreth 4 mijë metra katrorë më e madhe nga ajo që është deklaruar më parë në dokumentet e pasurisë nga bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama.

Në postimin e saj, opozita ngre dyshime mbi burimin e financimit të ndërtimit, duke përdorur tone kritike ndaj kreut të qeverisë dhe duke kërkuar transparencë mbi mënyrën se si është realizuar investimi.

Postimi i plotë:

Edi Rama e ka mohuar gjithmonë se shtëpia e tij është 57 metra e gjatë, ashtu siç dhe ka deklaruar disa herë kryetari i opozitës shqiptare, Sali Berisha.

Por këtë herë, Partia Demokratike ka vendosur që ti shkojë Ramës në Surrel ku ka ngritur kështjellën e tij të betonit, me fonde që nuk dihet se nga kanë ardhur dhe se si janë paguar punët e saj.

Sipas të dhënave të marra nga ASIG Geoportal shtëpia e Edi Ramës është as më pak dhe as më shumë se 58.42 metra e gjatë, pra 1.42 metra më e gjatë seç kishte deklaruar më herët kryetari i PD, Sali Berisha.

Por nuk mbaron me kaq.

Oborri që rrethon këtë kështjelle betoni është 8259 metra katror, 4 mijë metra katror më shumë seç është deklaruar nga Linda Rama në dokumentet e saj të pasurisë.

Tani teknologjia nuk gënjen, kështu që i bie të gënjejë kryeministri Edi Rama.

Por edhe këtë ai nuk e ka për herë të parë, dhe sigurisht as për herë të fundit.

Publikuar nga Publik Media